RTSH 24 Live

Politikë

Kushtetuesja shqyrton padinë për lista e hapura, Shehi: S’jemi të barabartë para votës

9 orë para

Kushtetuesja shqyrton padinë për lista e hapura, Shehi: S’jemi të barabartë para votës

Gjykata Kushtetuese është duke shqyrtuar ankimimin e partive të vogla lidhur me ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor, të cilat janë miratuar pas dakordësisë mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Partitë e vogla kërkojnë shfuqizimin e disa neneve të këtij ligji, pasi ato mbyllin mundësinë e konkurrencës të drejtë dhe kërkojnë që përcaktimi i listave të kandidatëve të lihet në dorë të partive.

Deputeti Dashamir Shehi, gjatë diskutimeve në Gjykatën Kushtetuese, theksoi se ky ligj i ka të gjitha elementët për t'u konsideruar të qëndrueshëm, por se nuk garanton barazi për të gjithë kandidatët. Ai theksoi se ndryshimet e bëra në Kodin Zgjedhor po shkelin parimet themelore të Kushtetutës dhe po i bëjnë të pamundur partive të vogla konkurrenca politike në kushte të barabarta.

"Ky ligj ka të gjitha elementët për të qenë kushtetues, por mazhoranca ka krijuar një gardh që kufizon mundësitë e konkurrimit për partitë e vogla, duke e bërë të pamundur që ato të kenë mundësi të barabarta para votës", u shpreh Shehi.

Shehi shtoi se ndryshimet nuk janë për të favorizuar partitë e vogla, por për të siguruar që ligji të jetë në përputhje me moralin dhe parimet e Kushtetutës, duke mbrojtur gjithashtu të drejtat e qytetarëve dhe funksionimin e një demokracie të shëndoshë.

“Ky ligj i ka të gjitha elementët e vetë për të qenë Kushtetues dhe ju mund ta kaloni kështu siç është ose mund ta ndryshoni. Unë them që Gjykata Kushtetuese duhet të shkojë në thelb të ligjit, mazhoranca ka të drejtën e vetë të bëjë ligje. Ne këtë marrëveshje e kemi mes dy maxhorancash, mazhorancës në parlament dhe Mazhoranca e opozitës. Duket si absurde politikisht, por mendoj që Gjykata Kushtetuese duhet të shprehë thelbin e Kushtetutës, s’është për të mbrojtur maxhorancën, por esenca e saj është për të mbrojtur minorancën. Gjykoj që brenda këtij propozimi të gjithë të mund të kenë mundësi të kenë të drejtat. Ne kërkojmë që kjo t’i lihet në dorë partive. Këto kanë bërë një gardh dhe kanë rrethuar kundërshtarët e vet, me i bërë të pamundur t’i konkurrojnë politikisht. Shkelen parimet elementare, s’jemi të barabartë para votës. Janë të gjitha shanset, do i bënit nder jo vetëm politikës, por demokracisë dhe shteti shqiptar. Jo se do i bënit favor disa partive të vogla, se ato të voglat nesër hyjnë prapë te të mëdhatë, siç ka ndodh rëndomë në politikën shqiptare. Por duhet thelbi i Kushtetutës, që ligji të jetë i moralshëm dhe të mbrojë të gjithë qytetarët në çdo lloj situate”, tha Shehi.

Në ndryshimet e Kodit Zgjedhor, kundërshtohet vetëm lista e kandidatëve për deputetë që parashikon 1/3 e listës të fiksuar që nuk I nënshtrohet votimit preferencial dhe pjesa tjetër 2/3 e hapur ku kandidatët luftojnë mes tyre për më shumë vota.

/rtsh.al/