RTSH 24 Live

Politikë

Ministeriali i NATO-s, Hasani: Shqipëria do investojë 3 % të PBB për mbrojtjen deri në 2030

10 orë para

Ministeriali i NATO-s, Hasani: Shqipëria do investojë 3 % të PBB për mbrojtjen deri në 2030

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, mori pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s, në Bruksel, i pari nën drejtimin e Sekretarit të ri të Përgjithshëm, Mark Rutte, si dhe takimi përmbyllës i një viti të rëndësishëm për Aleancën e Atlantikut të Veriut, që shënoi 75-vjetorin e themelimit të saj.

Hasani ritheksoi përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj Lidhjes Transatlantike, si “gur themeli” të NATO-s. Ai theksoi se Shqipëria po investon aktualisht 2.03% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në mbrojtje, me fokus modernizimin e Forcave të Armatosura, ndërsa po punohet për arritjen e 3% të PBB, deri në vitin 2030.

Në kuadër të miratimit të raportit dyvjeçar të NATO-s për Ballkanin Perëndimor, Hasani theksoi nevojën kritike për të forcuar kohezionin e NATO-s, veçanërisht në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor, për të kundërshtuar në mënyrë efektive kërcënimet ndërkufitare dhe për të përforcuar aftësitë parandaluese dhe mbrojtëse.

Ministrat e Jashtëm miratuan një sërë dokumentesh për çështje të ndryshme të Aleancës, veçanërisht sa i përket ecurisë së vënies në jetë të vendimeve të rëndësishme të dakordësuara nga Krerët e Shteteve dhe Qeverive në Samitin e Uashingtonit (9-11 Korrik 2024), si edhe nisjes së  përgatitjeve për Samitin e NATO-s në Hagë, në 24-25 qershor 2025.  

Në fokus të takimeve, ku ishte e pranishme dhe Përfaqësuesja e re e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas ishte dhe vijimi i mbështetjes të vendeve aleate për Ukrainën. Ministrat e Jashtëm aleatë gjatë takimit me homologun e tyre ukrainas Andri Sybiha, në formatin e Këshillit NATO-Ukrainë (NUC), theksuan mes të tjerash mbështetjen e plotë për Ukrainën, për sa kohë të jetë e nevojshme në përpjekjet e saj për t’i bërë ballë agresionit të Rusisë.

Një sesion tjetër iu dedikua situatës në kahun jugor të Aleancës, ku ishte i ftuar dhe Mbreti i Jordanisë, Madhëria e Tij, Abdullah II. Vendet aleate theksuan forcimin e partneriteteve ekzistuese të NATO-s me vendet në krahun e saj Jugor, të ndikuara më së fundi nga konflikti në Gaza, si edhe në dritën e vendimeve të marra nga Liderët në Samitin e Uashingtonit, ku NATO caktoi një Përfaqësues të Posaçëm për Jugun.

Po ashtu, Ministrat e vendeve aleate diskutuan dhe mbi qasjen strategjike të Aleancës ndaj Rusisë, masat e nevojshme që duhen ndërmarrë për adresimin e kërcënimeve të gjithanshme të sigurisë, përfshirë këtu edhe kërcënimet hibride.

/rtsh.al/