RTSH 24 Live

Politikë

“Porti i Durrësit”, PD kërkon hetim parlamentar

10 orë para

“Porti i Durrësit”, PD kërkon hetim parlamentar

Partia Demokratike kërkon hetim parlamentar për “Portin e Durrësit”. Lajmin e bëri të ditur kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale. Sipas tij, hetimi duhet të kryhet me seriozitet dhe pa asnjë vonesë.

“Afera e Portit të Durrësit që sipas investigimeve serioze të mediave gjermane ka gjurmë që shkojnë deri në Ekuador dhe Kolumbi, është një nga aferat më të mëdha të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, që duhet të hetohet me seriozitet dhe pa asnjë vonesë. Për këtë qëllim, në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike u vendos që mbi këtë aferë të kërkohet një hetim i plotë parlamentar”, shkruan Bardhi.

Sipas tij, transparenca mbi pasuritë publike dhe veçanërisht verifikimi dhe prerja e lidhjeve të krimit të organizuar me projekte madhore strategjike të vendit, duhet të jetë misioni i Kuvendit në periudhën e mbetur të kësaj legjislature.

“Grupi Parlamentar i PD nxit Prokurorinë e Posaçme që sa më parë dhe pa asnjë hezitim të hetojë dhe verifikojë të gjitha investigimet e kryera mbi këtë aferë skandaloze korruptive dhe që dyshohet se ka fije të lidhura me krimin e organizuar ndërshtetëror”, përfundon postimin Bardhi.

/rtsh.al/