RTSH 24 Live

Politikë

Çupi: Opozita të jetë e bashkuar në zgjedhje, buxheti 2025 tregoi keqqeverisjen

8 orë para

Çupi: Opozita të jetë e bashkuar në zgjedhje, buxheti 2025 tregoi keqqeverisjen

Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, ka kritikuar ashpër buxhetin e miratuar nga Qeveria shqiptare, duke e cilësuar atë si një "lëmoshë" për pensionistët dhe një pasqyrë të keqqeverisjes. Sipas Çupit, nuk ka asnjë rritje reale të pensioneve, por një bonus të përkohshëm që synon të fitojë vota para zgjedhjeve të vitit 2025.

Në një intervistë për RTSH 24, Çupi theksoi se kërkesa për të miratuar "minimumin jetik" është injoruar, duke dëshmuar, sipas saj, se qeveria ka si prioritet jetën luksoze të tyre, dhe jo mirëqenien e qytetarëve.

“Nuk ka në buxhet rritje të pensioneve por ka një lëmoshë që do ju jepet si mëshirë, pra ka një bonus para zgjedhjeve në pranverë të 2025. Kjo është një fyerje e rëndë për të gjithë pensionistët që kanë kontribuar për vendin. Buxheti i miratuar është një pasqyrë e keqqeverisjes me tendera, vjedhjet, korrupsionin duke vjedhur çdo pronë në favor të një grupi të afërt me kryeministrin. Qëllimi i qeverisë ka qenë të bëjmë të varfër shqiptarët dhe më pas t’ju blejmë votën. Minimumi jetik nuk u votua pasi e duan buxhetin për të bërë tendera e koncesione dhe për të bërë jetë luksi në administratën publike. Në kemi këtë politikë fiskale dhe këtë korrupsion shpopullimi është faktori kryesor që tregon këtë keqqeverisje”, tha Çupi.

Lidhur me një koalicion opozitar, Çupi tha se e gjithë opozita duhet të jetë e bashkuar për të rrëzuar sistemin aktual.

“Partitë opozitare janë parti aleate dhe kemi një bashkërendim të punës dhe programit, ashtu siç kemi edhe mbështetje nga partnerët e partive të djathta në Europë e botë. Ne flasim për parti që duan të bëjnë opozitë të vërtet nuk di të ketë që kanë deklaruar që të mos bëjnë aleancë së është Berisha. LZHK është parti e vjetër në tregun politik, por flas për parti që kanë peshë elektorale. E gjithë opozita nëse do të rrëzojë këtë sistem duhet të jetë e bashkuar dhe mund të sjellim ndryshimin imediat në Shqipëri”, tha ajo.

Çupi gjithashtu vlerësoi mundësinë që diaspora do të ketë të drejtën e votës në zgjedhjet e vitit 2025. Ajo theksoi se PD është e gatshme të bëjë çdo ndryshim për të siguruar këtë të drejtë për shqiptarët jashtë vendit, duke shpresuar se vota e diasporës do të sjellë një ndryshim të vërtetë.  

“Kjo është një votë shumë e rëndësishme dhe është një lajm i mirë që i kemi dhënë të drejtën e votës diasporës. Kanë nisur komunikimet dhe takimet me diasporën. PD është e gatshme për të bërë çdo ndryshim për t’i dhënë të drejtën diasporës për të votuar në 2025, me optimizmin që kjo votë do të sjellë ndryshim dhe do të ketë mbështetjen e opozitës. Ka dyshime për votën patjetër, pasi gjithmonë ka pasur tendencë të deformojë rezultatin e zgjedhjeve dhe të deformojë vullnetin e diasporës” u shpreh deputetja.

/rtsh.al/