Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu bëri të ditur tw mwrkurwn vendimin e marrë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave sa i përket target grupit të personave para dhe tetraplegjikë duke rritur mbështetjen e drejtpërdrejtë financiare për rreth 5.600 persona.
Në deklaratën për mediat, ministrja Koçiu sqaroi se për këtë target grup u vendos që të rishikohet masa e ndihmës së ofruar për mbulimin e shpenzimeve për përballimin e paketës së domosdoshme me materiale të veçanta higjieno-sanitare.
“Duke konsideruar që dje ishte data 3 Dhjetor, Dita Ndërkombëtare e Personave me aftësi të kufizuar, një ditë e cila na kujton se të gjithë duhet të jemi të barabartë dhe të ndihmojmë edhe ata që në një moment të caktuar të jetës së tyre kanë një vështirësi apo që nuk kanë të njëjtat aftësi për të përballuar jetën e tyre, në vazhdën e mbështetjes dhe të solidaritetit jo vetëm me personat me aftësi të kufizuar, por me të gjithë ato shtresa në nevojë për të cilët duhet mbështetje e vazhdueshme me shërbime sociale shëndetësore dhe me mbështetje financiare, qeveria ka vendosur sot që të rrisë masën e mbulimit për paketën higjieno-sanitare për personat para dhe tetraplegjikë. Një vendim i rëndësishëm nëse konsiderojmë që ky target grup është gjithashtu pjesë e këshillit kombëtar të personave me aftësi të kufizuar me të cilët patëm sot një diskutim shumë të për të diskutuar mbështetjen e vazhdueshme dhe të domosdoshme të kësaj kategorie”, u shpreh Koçiu.
Ministrja tha se një kërkesë e vazhdueshme është edhe mbështetja me figura të reja profesionale të cilët asistojnë këtë target grup. “Janë plot 18 mijë kujdestarë personal për të cilët MSHMS është duke punuar për të lancuar figurat e reja profesionale. Figura e ndihmësit personal apo e kujdestarit personal është një figurë të cilën së bashku me asistencën dhe projektet e BE jemi duke punuar për ta lancuar si një figurë profesionale e cila përveç aftësimit, trajtimit, do duhet të mbështeten financiarisht për pagën dhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore”.
“Janë të gjitha këto punë dhe përpjekje që vijnë në vazhdën që edhe të Buxheti të vitit 2025 i cili u miratua dje në Kuvend, vijon të mbështesë komplet ombrellën sociale”, përfundoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.
Sipas këtij vendimi, mbështetja për paketën higjieno-sanitare rritet në 20.000 Lekë në muaj. Gjithashtu, vendimi i marrë sot përmban për herë të parë një klauzolë, që sjell rritjen automatike të mbështetjes çdo vit, bazuar në indeksimin e çmimeve të konsumit të shpallur nga INSTAT.
/rtsh.al/