RTSH 24 Live

Sociale

Rriten rastet e të prekurve nga kanceri i mushkërive, rreth 700 raste çdo vit

3 orë para

Rriten rastet e të prekurve nga kanceri i mushkërive, rreth 700 raste çdo vit

Rreth 700 raste të reja çdo vit evidentohen me kancer të mushkërive në vendin tonë.

Ky vit ka shënuar 50 raste më shumë se një vit më parë, ndërsa gjithnjë e më shumë po preken mosha të reja.

Mjekë nga Shqipëria dhe Kosova u bënë bashkë për t'u njohur me të rejat më të fundit mbi trajtimin e sëmundjeve respiratore në Konferencën e 15 për Sëmundjet Respiratore, që u mbajt në Durrës.

Mjekja Silvana Bala veçon si shkaktarë të SPOK-ut dhe kancerit të mushkërive duhanpirjen dhe ndotjen e ajrit.

"Ndër problemet kryesore që trajtohen është SPOK-u, sëmundjet kronike obstruktive me impakt duhanin, është kanceri pulmonar, që përsëri ka si impakt kryesor duhanin dhe ndotjen e ambientit, si dhe shumë sëmundje të tjera. Shikohet që ka një rritje të prevalencës së tyre në popullsi," u shpreh mjekja pneumologe.

Kanceri i mushkërive rezulton me vdekshmërinë më të lartë. Nga 700 raste që evidentohen çdo vit në vendin tonë vetëm 20% e tyre mund të përfitojnë nga ndërhyrja kirurgjikale, si hapi më i rëndësishëm në trajtimin e kësaj sëmundjeje shpjegon mjeku pneumolog, Fatmir Caushi.

"Kanceri i mushkërisë është ndër patologjitë kanceroze, që prek organizmin e njeriut, që ka vdekshmërinë më të lartë. Nga pjesa tjetër, nëse kapet në fazat e hershme, kemi një përfitim në trajtimin e sëmundjes dhe në jetëgjatësinë e pacientëve," tregon mjeku Fatmir Caushi.

Kongresi për Sëmundjet Respiratore ka për qëllim ndërgjegjësimin e popullatës në lidhje me këto sëmundje, krahas risive shkencore në përputhje me protokollet kombëtare dhe ndërkombëtare për trajtimin e tyre.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/