Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos tha se gjeopolitika në këtë moment që po kalon kontinenti europian ka theksuar nevojën për përshpejtimin e procesit të integrimit.
Gjatë konferencës së Sigurisë në Mynih, Kos theksoi se zgjerimi i BE-së është i lidhur ngushtë me sigurinë e kontinentit, pasi sipas saj forca të jashtme që përpiqen të përçajnë vendet. Gjithashtu Kos nënvizoi se BE-ja është ajo që mund t’i sjellë vendet kandidate në union, jo SHBA.
“Zgjerimi sot nuk ndikohet vetëm nga ajo çfarë po bën SHBA, ndikohet nga gjeopolitika. Sot kemi një situatë specifike. Kemi forca të jashtme që ndikojnë, përçajnë dhe duan të na shohin që të dështojmë, kështu që flasim për përparësi dhe nuk është vetëm zgjerimi, por është bashkimi i Europës. Ja pse po bëhet gjithmonë e më e rëndësishme. Tani ne kthehemi tek siguria dhe paqja dhe ky është elementi më vendimtar, por po kështu edhe është fuqia e BE. Ju përmendët garancitë e sigurisë, zgjerimi mund të jetë elementi më i rëndësishëm politik i garancisë së sigurisë. Ka një arsye pse vendet duan të bëhen pjesë e BE dhe jo pjesë e SHBA”, tha Kos.
Ajo theksoi se aspektet politike mbeten një sfidë e madhe për BE, pasi vendimmarrja për zgjerimin kërkon konsensusin e të gjitha shteteve anëtare.
“Na duhet të bëjmë dallimin midis pjesës teknike të procesit dhe pjesës politike të procesit. Kur vjen fjala te pjesa teknike ne mund të përmbyllim me Malin e Zi dhe Shqipërinë deri ne 2026 apo 2027, por ka dhe një pjesë politike që do të thotë që asnjë hap i rëndësishëm nuk mund të ndërmerret pa vullnetin e shteteve anëtare. Këtu i shoh mundësitë sot për pjesën teknike me të cilën unë jam ngarkuar. Mund të realizojmë shumë jo vetëm për Ukrainën, por edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor. Por duhet vërtete të flasim dhe po flasim me shtete anëtare për atë çka mund të bëjnë sepse është pjesa e bazuar në meritë aq teknike, por dhe vullneti politik dhe gjeopolitika për të cilën po flisja në fillim luan një rol të rëndësishëm. Disa njerëz shohin një mospërputhje midis procesit të bazuar në meritë dhe gjeopolitikën, ose të tjerë mospërputhje midis vlerave dhe procesit ekonomik. Pse nuk duhet të flasim për anti-korrupsionin dhe kështu me radhë. Pra, në këndvështrimin tim, ne mund të bëjmë shumë më tepër në qoftë se e marrim në konsideratë seriozisht këtë situatë dhe një koment për pyetjen e parë. BE mund t’i sjellë vendet kandidatë në BE jo SHBA”, tha Kos.
/rtsh.al/