Me ftesë të homologut të tij, Abdullah Ali Al-Yahya, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka zhvilluar një vizitë zyrtare dy-ditore në Kuvajt.
Vizitën e ka nisur me një takim produktiv me Sheikh Fahad Yousef Saud Al-Sabah, Zëvendëskryeministër i Parë dhe Ministër i Brendshëm i Kuvajtit, me të cilin ka diskutuar rreth zhvillimeve rajonale dhe forcimit të bashkëpunimit në organizatat ndërkombëtare.
Gjatë këtij takimi, ka pasur gjithashtu shkëmbime të frytshme mbi mundësitë ekonomike dhe tregtare, duke vlerësuar mbështetjen e Kuvajtit për projektet infrastrukturore në Shqipëri.
Në takimin me homologun e tij, Abdullah Ali Al-Yahya, dy ministrat kanë theksuar lidhjet e forta mes Shqipërisë dhe Kuvajtit, si dhe kanë shqyrtuar mënyrat e mundshme për të thelluar bashkëpunimin dypalësh në sektorë kyç.
Në lidhje me takimin, ministri Hasani u shpreh se, “ramë dakord për të inkurajuar më shumë shkëmbime në të ardhmen, edhe nëpërmjet vizitave të nivelit të lartë, për të forcuar më tej partneritetin tonë. Përsërita gatishmërinë e Shqipërisë për investimet direkte kuvajtiane, veçanërisht në energji, infrastrukturë, bujqësi dhe teknologji të avancuar. Gjithashtu, nënshkruam bashkërisht një Memorandum Mirëkuptimi për rritjen e bashkëpunimit mes akademive tona diplomatike, me qëllim krijimin e mundësive të trajnimit për diplomatët e rinj”.
Gjatë kësaj vizite dy-ditore, ministri Hasani ka zhvilluar edhe takime të rëndësishme të karakterit ekonomik e tregtar.
Gjatë takimeve është theksuar rëndësia e forcimit të kuadrit ligjor institucional që nxit rritjen e bashkëpunimit ekonomik-tregtar mes dy vendeve, si dhe ka theksuar se Shqipëria paraqet një potencial të lartë për investimet e huaja kuvajtiane në vendin tonë, duke marrë parasysh popullsinë e saj të re pro-evropiane, legjislacionin e favorshëm për investimet e huaja dhe pozicionin e shkëlqyer gjeografik.
/rtsh.al/