RTSH 24 Live

Politikë

"Forcimi i mbikëqyrjes parlamentare", Spiropali: Objektivi, në BE brenda 2030

19/02/2025

"Forcimi i mbikëqyrjes parlamentare", Spiropali: Objektivi, në BE brenda 2030

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, mbajti fjalën çelëse në konferencën "Forcimi i mbikëqyrjes parlamentare: Praktikat më të mira për forcimin e llogaridhënies", nga ku tha se Shqipëria ka shpallur objektiv strategjik kombëtar anëtarësimin në BE brenda vitit 2030.

"Për arritjen e këtij objektivi, Kuvendi i Shqipërisë është duke punuar për hartimin e plani të ri strategjik 2025 2030. Mbikëqyrja parlamentare, kontrolli dhe monitorimi i qeverisë dhe institucioneve të pavarura është ndër prioritetet e këtij plani," tha kryetarja e Parlamentit.

Gjatë fjalës së saj, Spiropali theksoi se përgjegjshmëria dhe transparenca mbeten ndër vlerat kryesore të Kuvendit të Shqipërisë.

Kryeparlamentarja kujtoi edhe krijimin e dy komisioneve vitin e kaluar nga Kuvendi.

"Gjatë vitit tëkaluar, Kuvendi i Shqipërisë ngriti dy komisione të posaçme: komisionin për thellimin e reformave për mirëqeverisje, sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian dhe Komisionin për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit. Ndër qëllimet e ngritjes së këtyre komisioneve është rritja e mbështetjes për qeverinë, institucionet dhe agjencitë shtetërore, si dhe institucionet e pavarura, në mënyrë që arritjet e deritanishme të reformave dhe proceseve integruese të jenë të pakthyeshme, të garantuara dhe të avancojnë më tej," shpreh kryeparlamentarja.

Spiropali tha se qëndrueshmëria e marrëdhënieve të mira me institucionet e drejtësisë i shërben demokracisë së vendit.

Gazetare: Rugova Dunisha

/rtsh.al/