RTSH 24 Live

Politikë

Pozicioni Negociues me BE, Komisioni për Çështjet Europiane përplas palët

19/02/2025

Pozicioni Negociues me BE, Komisioni për Çështjet Europiane përplas palët

Komisioni Parlamentar për Çështjet Europiane nisi shqyrtimin për Projektpozicionin Negociues për grupimin e dytë të kapitujve "Tregu i brendshëm", për negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ministrja e Shtetit dhe kryenegociatorja për Integrimin, Majlinda Dhuka, u shpreh se sinergjia mes palëve politike është arsyeja pse Shqipëria është në kushtet e një progresi të shpejtë në vitet e fundit.

"I gjithë faktori politik shqiptar e mbështet fort integrimin europian. Kjo është edhe arsyeja që Shqipëria është në kushtet e një progresi të shpejtë në këto muajt dhe vitet e fundit. Ka sinergji të plotë midis të gjitha institucioneve dhe faktorëve politikë, në Kuvend e më gjerë," u shpreh ministrja Dhuka.

Komisioni miratoi me shumicë votash zhvillimin me dyer të mbyllura të diskutimeve, vendim ky që nxiti debat mes palëve.

"Parashikimi që mbledhjet e Komisionit të zhvillohen me dyer të mbyllura ose konfidenciale është në ligj. Ligji i Republikës së Shqipërisë e parashikon këtë," sqaroi znj. Dhuka.

"Arsyeja pse unë kërkoj që mbledhjet të jenë me dyer të hapura është që sot ka një ngërç në informacion, por edhe për fazën e procesit ku ne ndodhemi. Kam lexuar me shumë çudi që afati përfundimtar i pjesës më të madhe të detyrimeve shkon në 2027, por ne duhet patjetër ta heqim këtë diskutimin e procesit të integrimit nga sirtarët burokratikë të qeverisë dhe ta bëjmë një diskutim kombëtar. Më vjen keq ta them që nuk po ndodh kjo," deklaroi kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku.

Në përfundim, znj. Tabaku shprehu mbështetjen e plotë të opozitës në këtë proces.

/rtsh.al/