RTSH 24 Live

Aktualitet

Marrëveshja me Italinë, niset anija e parë me emigrantë drejt Shqipërisë

14/10/2024

Marrëveshja me Italinë, niset anija e parë me emigrantë drejt Shqipërisë

Anija "Libra" e marinës ushtarake italiane është nisur drejt Shqipërisë për të sjellë grupin e parë të emigrantëve në qendrat e ngritura në Shqipëri për t’iu nënshtruar procedurave të përshpejtuara kufitare.

Media italiane Ansa raporton se në bord është kryer kontrolli fillestar i emigrantëve që do të transferohen në Gjadër dhe Shëngjin. Emigrantët i janë nënshtruar verifikimeve nëse plotësonin kërkesat e kërkuara: të ardhur nga vende të sigurta, meshkuj, jo të cenueshme.

Kujtojmë se një javë më parë qendrat pritëse të Gjadrit dhe Shëngjinit u vunë në funksion.

Anija e parë do të ankorohet në Portin e Shëngjinit dhe sipas procedurave, refugjatët do të vendosen në qendrën pritëse dhe pas 48 orësh nën masa të rrepta sigurie do të transferohen me autobusë në kampin e Gjadrit, i cili prej ditës së premte është bërë gati, duke i pajisur me logjistiken dhe personelin e nevojshëm.

Ndërkohë edhe pse emigrantët e parë pritet të mbërrijnë për pak ditë, në kampin e Gjadrit do të vijohet me punime, pasi ka mbetur dhe 30 për qind e volumit pa përfunduar.

Marrëveshja me Italinë për emigrantët u firmos më 6 nëntor 2023 në Romë mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe ngjalli shumë debate në të dy anët e Adriatikut, por pavarësisht kundërshtimeve u ratifikua me shumicë votash nga parlamentet e të dy vendeve.

Marrëveshja parashikon strehimin e rreth 3 mijë emigrantëve të kapur nga roja bregdetare italiane në ujërat ndërkombëtare. Ato do të kontrollohen fillimisht në bordin e anijeve që i kanë shpëtuar, përpara se të dërgohen në Shqipëri. Zona brenda kampit të Gjadrit do të monitorohet nga policia italiane e cila qëndron ndërmjet ambienteve të punonjësve dhe refugjatëve. Kapaciteti aktual nuk i kalon 400 vende, por kampi do të zgjerohet në muajt në vijim.

/rtsh.al/