Një djalë i ri mbi 20 vjeç, ka humbur jetën tragjikisht në një aksident rrugor në aksin Lushnjë- Berat. Viktima Petro Piti ishte duke drejtuar një autobot të mbushur me hidrokarbure kur u përplas me një mjet bujqësor që drejtohej nga Albert Toska, 41 vjeç. Aksidenti ndodhi pranë fshatit Kashtë Bardhë.
Pas përplasjes traktori ka përfunduar i copëtuar në kanal, ndërsa autoboti u kthye mënjanë në krahun e shoferit, duke e zënë poshtë drejtuesin e mjetit që përfundoi në tokat bujqësore. Banorët e zonës kanë dëgjuar zhurmën e fortë dhe shkuan të parët për ti dhënë ndihmë të aksidentuarit.
Dinamika e aksidentit
Sipas dëshmitarëve, drejtuesi i mjetit bujqësor ishte gati në frenim, për të marrë gruan e tij në traktor, por ka parë autobotin që po vinte me shpejtësi dhe është hedhur nga mjeti i tij. Viktima ka frenuar aq fort, sa është krijuar një e çarë e madhe në asfalt . Nga frenimi autoboti ka dalë nga rruga kryesore dhe është përmbysur në tokat bujqësore, duke marrë me vete dhe shkulur nga toka edhe 100 metër karrexhatë metalike anësore. Dyshohet se viktima e ka parë me vonesë traktorin nga errësira dhe pavarësisht frenimit ai nuk e shmangu dot përplasjen.
Për gati një orë dhjetëra banorë të zonës, policia e Lushnjës, zjarrfikës dhe një mjet bujqësor janë përpjekur të nxjerrin viktimën nga mjeti, i cili e kishte zënë poshtë, me shpresën se ishte gjallë. Petron e fusin në ambulancë, por ai ishte pa shenja jete. I riu është dërguar në spitalin e Lushnjës, por jeta e tij është prerë në mes.
Policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit bujqësor për ta marrë në pyetje rreth aksidentit. Petro Piti ishte pronar i kompanisë MONOPETROL nga Berati. Aksi rrugor Lushnje - Berat është kthyer në një pikë të rrezikshme aksidentesh, për shkak të mungesës së ndriçimit dhe daljes së mjeteve bujqësore në rrugë.
/rtsh.al/