RTSH 24 Live

Kulturë

Lamtumirë Ismail Kadare! Homazhe dhe ceremonial shtetëror në nder të kolosit të letërsisë shqiptare

03/07/2024

Lamtumirë Ismail Kadare! Homazhe dhe ceremonial shtetëror në nder të kolosit të letërsisë shqiptare

Mes duartrokitjeve, nderimeve dhe përkuljeve para arkëmortit të tij, Ismail Kadare është përcjellë për në banesën e fundit në varrezat e Tufinës me ceremoni shtetërore. Kolosi i letërsisë shqipe bëri bashkë të gjithë shqiptarët jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ku zhvilluan homazhe në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit dhe lanë mesazhet e tyre në librin e kujtimeve.

Mbi arkëmortin me trupin e pajetë të Kadaresë, ishte vendosur një instalacion i madh i shenjtores shqiptare Nënë Tereza, ku kryeministri Rama sqaroi se kjo ndodhi rastësisht, por se ishte dhe përcjella më e bukur që mund t’i bëhej shqiptarit të botës Ismail Kadare.

Në hyrje të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit ishte vendosur edhe një stendë me veprat e të ndjerit Kadare të përkthyer në 45 gjuhë të botës.

Pushimi në Tufinë do të jetë i përkohshëm për Kadaren, deri sa ai të ketë banesën e tij që meriton, theksoi kryeministri Rama.

Kryeministri tha se Kadare mori vlerësimet e të gjithë botës, por u has me smirën e vendit ku lindit, gjë që nuk e lejoi të merrte dhe çmimin Nobel nga letrat anonime për të.  

Ora 12.37 Ismail Kadare përcillet për në banesën e fundit

Arkëmorti i Ismail Kadaresë është përcjellë për në banesën e fundit mes nderimeve dhe duartrokitjeve të familjarëve, miqve dhe personaliteteve nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut.

Të pranishëm në homazhe ishin edhe diplomatë të huaj në vendin tonë, ku përmes kurorave me lule dhe mesazheve të lëna në librin e kujtimeve kanë nderuar shkrimtarin Ismail Kadare që nuk i përkiste vetëm Shqipërisë por botës.

Ora 12.20 Rama: Përcillet nën mbrojtjen e Nënë Terezës. Mori nderimet e botës dhe smirën e vendit të tij

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalim në homazhet që u zhvilluan në nder të kolosit të letrave të gjuhës shqipe Ismail Kadare, i cili u përcoll për në banesën e fundit me ceremoni shtetërore. Rama e konsideroi Kadarenë si një “shqiptar të botës” njësoj si Nënë Tereza dhe se po “largohet nga kjo botë i mbrojtur nga humanistja shqiptare”.

“Nën hijen e Nënë Terezës mbi trupin e Ismailit ishte këtu kishte ardhur më parë. Njoftimi që salla ishte e zënë dhe Nënë Tereza nuk lëvizi dot prej aty me erdhi bashkë me foton e kësaj skene që po montohej për shfaqje sonte në  darkë. Lëreni aty. Nuk ka më mirë. Askujt nuk do ti shkonte në mëndje rastësia që solli këtu enkas për Ismailin dhe më mirë sesa nën hijen e saj, shqiptares që I takon botës, asesi tjetër nuk mund të bëhej ceremonia e përcjelljes nga jeta të shqiptarit që I takon botës.  Duke e pas njohur e dita në çast që nën hijen e shenjtores së tij të dashur Ismaili symbyllur do të ndihej I marrë nën mbrojtje nga ata që se donin”, tha Rama.

Ismail Kadare do të prehet në Tufinë, por kryeministri Edi Rama tha se kjo do të jetë e përkohshme pasi ai meriton banesën e tij të fundit.  Kryeministri Edi Rama tha se Kadare mori vlerësimet e të gjithë botës, por u has me smirën e vendit ku lindit, gjë që nuk e lejoi të merrte dhe çmimin Nobel nga letrat anonime për të.

Ora 12.05 Homazhet për Ismail Kadarenë, Bagaj: Lamtumirë, i madhi ynë!

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi sot homazhe në nder të shkrimtarit të shquar shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, në ceremoninë shtetërore të lamtumirës së fundit të organizuar në Tiranë.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, i shoqëruar nga Zonja e Parë, vendosi kurorën me lule pranë arkëmortit të mbuluar me flamurin e Shqipërisë.

Presidenti i Republikës  shënoi në librin e ngushëllimeve vlerësimet për “Nderin e Kombit”.

 “Shqipëria dhe shqiptarët përcjellin sot për në panteonin e përjetësisë gjeniun e tyre të letrave, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne.

Falë talentit të rrallë dhe ndërgjegjes patriotike, Ismail Kadare fitoi për së gjalli statusin e privilegjuar të emancipuesit shoqëror dhe atij identitet.

Novator në stil, si dhe në gjuhë, së bashku me Nënë Terezën, ai u shndërrua në emblemën ndërkombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve të kohëve moderne.

Ismail Kadare do të përkujtohet gjithmonë me nderim si promovues, si askush tjetër, i krenarisë kombëtare, veçanërisht i orientimit evropian të kombit shqiptar.

Lamtumirë, i madhi ynë!”

Është ky mesazhi i Presidentit Republikës, Bajram Begaj.

Ora 11.55 Kryeministri Rama kryen nderimet e fundit për Ismail Kadarenë

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama kanë zhvilluar homazhe në nder të shkrimtarit të njohur Ismail Kadare. Teksa sot i jepet lamtumira e fundit, ata kanë vendosur kurorë me lule ndër kujtim të Kadaresë, ndërsa kanë lënë edhe nga një shënim në librin e kujtimeve për kolosin e letërsisë shqipe.

Ora 11.40 Ahmeti: Shkëlqimi i prozave të Ismailit në skenat botërore, si shpata e Skënderbeut

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti ka kryer homazhe në nder të shkrimtarit të madh Ismail Kadare. Ahmeti deklaroi para mediave se ashtu sikurse shkëlqeu shpata e Skënderbeut në skenat botërore, ashtu shkëlqeu edhe proza e Ismail Kadaresë.

“Ashtu siç shkëlqeu në skenën vendore dhe atë botërore shpata e Skënderbeut kështu shkëlqeu dhe proza e ISMAIL Kadaresë në skenën vendore dhe atë botërore, i mbetet gjeneratave, Shiqipërisë, shqiptarëve atyre që krijojnë prozë dhe poezi të bëjnë vazhdimësinë e Kadaresë dhe Dritëro Agollit”, tha Ahmeti.

Ora 11.35 Ish-presidentët e Shqipërisë nderojnë Ismail Kadarenë

Dy ish-presidentët, Alfred Moisiu e Rexhep Meidani kanë kryer homazhet në nder të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, i cili përcillet sot për në banesën e fundit. Ata kanë kryer nderime pranë arkëmorti të Kadaresë, i cili ndërroi jetë më 1 korrik.

Ora 11:24- Fatos Kongoli: Ismail Kadare është një shkollë letrare

“Ismail Kadare është një shkollë letrare”, kështu ka deklaruar shkrimtari Fatos Kongoli pas homazheve në nder të gjeniut të letrave shqipe, e njëherësh mikut të tij.

Kongoli u shpreh se shumë shkrimtarë të rinj kanë imituar Kadarenë, por sikur tij, kolosi i letërsisë shqiptare është i paimitueshëm.

“Do e kujtoj si një mik të dashur, shkrimtar të madh . Përmasa botërore. Është njeriu që ka bërë për Shqipërinë. dikush e ka krahasuar me vlerat që ka pasur Skënderbeu.

Si autor është histori e gjatë. E kam adhuruar gjithmonë edhe kur nuk më shkonte mendja se do të shkruante ndonjëherë vetë.

Vitet e fundit u miqësuam shumë, kemi pasur një mik të përbashkët. Vila e Kadaresë në Golem, qerret ishte ngjitur me atë të Zhuljemit, aty takoheshim shpesh. Më ndodhte të takohesha dhe në raste të ndryshme ku ishim të ftuar. Muhabetet tona kanë qenë nga më të bukurat. Ismaili ishte i çliruar nga gjithçka dhe fliste në mënyrë më të lirshme.

Ismaili është një shkollë letrare. Shumë shkrimtarë të rinj, e imitonin, mirëpo Ismaili, proza e Kadaresë është e paimitueshme. Është shkrimtar i pavdekshëm”, tha Kongoli.

Ora 11.18 Lamtumirë Kadare, Nazarko: Shqipëria sot nuk është më në gjendje të qesh apo të qajë

Gazetari Shpëtim Nazarko ka kryer homazhet në nder të shkrimtarit Ismail Kadare, ku e përshkroi gjendjen e tij dhe kombit në këtë moment si të “ngrirë” me largimi  nga jeta të kolosit të letërsisë shqipe.

“Shqipëria nuk është më në gjendje të qesh apo të qajë me ikjen e tij. Sot jemi në gjendje të ngrirë. Kujtimet e mira me të dhe disa letra që kemi shkëmbyer do jenë pjesë e kujtimeve të mia. S’kemi tjetër pas Kadaresë, Shqipëria me humbjen e Dritëroit dhe Kadaresë nuk po prodhon dot më gjë, ata ishin personazhe të mëdha”, tha Nazarko.

Ora 10.45 Zogaj thirrje brezave të rinj: Një shkrimtar me përmasa të mëdha, mos ndalni së lexuari

Poeti dhe shkrimtari Preç Zogaj ka zhvilluar homazhe për shkrimtarin Ismail Kadare ndërsa për mikrofonin e RTSH-së teksa vlerësoi figurën e kolosit të letërsisë shqiptare bëri thirrje që të vijohet me leximin e veprave të tij.

“Është vdekja e mbretit të letërsisë shqipe. Bëj thirrje që të lexohet ende më shumë, kjo thirrje shkon më shumë për brezat e rinj. Kam pasur fatin ta takoj disa herë, momente decizive edhe për zhvillime demokratike. E kujtoj si një mendjendritës, lartgpamës, dhe i drejtpërdrejtë. Një mendje që i ka paraprirë ndryshime të mëdha të letërsisë. Niveli më i lartë që duhet të maten të gjithë ata që nisin të shkruajnë. Majat janë fillesat e të gjithë atyre që fillojnë. Takimet e fundit kanë qenë spontane, kemi folur për tema të ndryshme. Duhej të zotërojë një lloj kodi të realizoje takime më të. Nuk ishte kurrë banal, dinte të qëndronte gjithmonë mbi. Një shkrimtar me përmasa të tilla ja doli të mbizotërojë në kushte të tiranisë”, tha Zogaj.

Ora 10.34 Homazhet për Ismail Kadarenë, Meta: Gjenitë si ai, jetojnë në ndërgjegjen e kombit

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka marrë pjesë në homazhet në nder të gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadare. Në fjalën e tij para mediave, Meta u shpreh se gjenitë si Kadare, jetojnë në ndërgjegjen e kombit. Meta tha se Kadare ngriti Shqipërinë në majën e letërsisë botërore pikërisht atëherë kur vendi ishte më i izoluar se kurrë.

“Ngriti Shqipërinë dhe shqiptarët në majën e letërsisë botërore pikërisht atëherë kur Shqipëria ishte më e izoluar se kurrë. Jo vetëm kaq, por edhe me sakrificat e tij i parapritu një epoke të re. I përjetshëm kujtimi i shkrimtarit tonë të madh e të papërsëritshëm, Ismail Kadare. Gjenitë si ai e kanë të siguruar pavdekësinë sepse jetojnë përgjithmonë në ndërgjegjen e kombit”, tha Meta.

Ora 10.10 “Është pasqyrë ku mund të shohim defektet tona”, Basha: Kadareja është psikanaliza kolektive e shqiptarëve

“Është pasqyrë ku mund të shohim defektet tona”, Basha: Kadareja është psikanaliza kolektive e shqiptarëve Kryetari I demokratëve euroatlantik Lulzim Basha ka  zhvilluar homazhe për shkrimtarin më të madh shqiptar, Ismail Kadarenë. Në një prononcim për RTSH, Basha u shpreh se, “Kadare në të gjitha vitet e krijimtarisë ushtoi për kombin, ushtoi për dinjitetin e shqiptarëve dhe për identitetin tonë si një ndër popujve më të vjetër formues dhe bashkëformues të identitetin evropian”.

“Sot është një ditë sa e trishtë aq dhe domethënës I gjithë kombi merr pjesë në këtë homazhe për ndarjen nga kjo jetë e kolosit Ismail Kadare. Si lajtmotiv kryesor I veprës së tij është përballja e të mirës me të keqen, ndërmjet të bukurës dhe të shëmtuarish” theksoi ai.

Sipas Bashës, analizat brilante meskiniteti njerëzor si produkt I deformimit nga pushteti arbitrar që për fat të keq mbeten tema aktuale”.

Ndaj vazhdoi ai, përshkrimi I këtyre temave kaq bukur në diktaturë dhe I pathtosit për të mposhtur të keqen mbetet aktuale dhe frymëzuese për çdo shqiptar.

Për z. Basha, vepra e Kadaresë ishte një nga shkëndijat e bashkëmoshatarëve të tij për tu angazhuar publikisht për të mposhtur të keqen që kishte pllakosur Shqipërinë dhe mbetet një nga frymëzimet për të vazhduar përpjekjet derisa Shqipëria të bëhet pjese e Evropës.

“Kadareja është psikanaliza kolektive e shqiptarëve” Në këtë kontekst, Basha vuri në dukje se, vepra e Kadaresë është pasqyrë ku mund të shohim defektet tona.

"Ka një vlerë të përditësuar sepse disa nga dukuritë bazë të deformimit të  personalitetit të njeriut për shkak ë pushtetit arbitrar, të meskinitetit njerëzor si instrumenti që Lufton të mirën , Lufton të bukurën , luftojnë të denjën fatkeqësisht vazhdojnë dhe sot".

Ora 9:54 Homazhet për Kadarenë, Mici: Është sintezë e historisë së Shqipërisë

Aristotel Mici, ish kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve Fier e ka konsideruar Ismail Kadarenë simbolin e identitetit tonë kombëtar.

“Ai ishte ikona e shqiptarizmit, ishte simbol i progresit dhe pati edhe një kulm botëror, ndrit Shqipërinë dhe identitetin tonë kombëtar me veprën e tij. Kadarenë e kujtoj energjik dhe të menduar, kurrë pesimist. Gjithnjë me ambicie. Të rinjtë duhet ta njohin veprën e Kadaresë, pasi do të thotë të njohësh identitetin tënd. Kadare është sintezë e historisë së Shqipërisë”, tha ai për RTSH 24.

Ora 9:48 Fiksoi Kadarenë në fotot e tij, Roland Tasho: Pas Nënë Terezës, Kadare ishte personaliteti i madh i këtij kombi

Fotografi Roland Tasho e konsideron veten me fat që e ka njohur dhe ka kujtime të bukura nga Ismail Kadare. Ai është njohur me Kadaren në Paris dhe që prej asaj kohe Tasho ka qenë fotografi që ka fiksuar portretin e Ismail Kadaresë.

“Që nga koha që kam qenë me bursë në Paris aty u krijua një lidhje dhe e kam shoqëruar me aparat kudo që ka shkuar dhe ka marrë çmime të ndryshme . Unë ka një tjetër qasje me Kadarenë se në Paris e pash sa shumë e vlerësonin francezët, me thënë të drejtën edhe më shumë nga sa e vlerësonim ne këtu. Pas Nënë Terezës në nga personalitetet më të mëdha të këtij kombi është Ismail Kadare. E fotografova në Gjirokastrës ku bëmë një cikël të gjatë dhe bëmë një nga librat e vetme me ilustrime fotografike “Kadare dhe Gjirokastra”. Dhimbja është e madhe, por jam me fat që kam mundur të kem kujtime me të”, tha Tasho për RTSH 24.

09:29 Drejtori i Bibliotekës Kombëtare Pirro Misha: Jemi të nderuar që kemi qenë bashkëkohës së tij

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Pirro Misha ka deklaruar se figura si Ismail Kadare, shenjojnë momente epokale kulturore.

"Është një hidhërim i madh në këtë moment. Janë momente ku dominon hidhërimi dhe trishtimi për largimin nga jeta e një nga figurat më epokale që kanë shënuar të paktën për 7 dekada.

Por padyshim është dhe dita për të falënderuar dhe për ti thënë që jemi mirënjohës për atë që na dha. Jemi të nderuar që kemi qenë bashkëkohës së tij. Është fati i madh për çdo individ që pati mundësinë që të jetonte në kohën e tij , ishte një dritë shpresë në kohët më të errëta. Por dhe për popullin shqiptar ishte një fat i madh që më shumë se sa ai nuk ka bërë më shumë për ta bërë të njohur dhe të respektuar shqiptarin në botë. Figura si Kadare shënojnë momente epokale kulturore ku gjithçka ndryshon; tashmë do themi periudha para Kadaresë dhe pas Kadaresë, të letërsisë shqipe. Ai e futi letërsinë shqipe në historinë botërore kur ndërkohë letërsia shqipe nuk njihej në botë fare. Ka shumë për të treguar për këtë kolos por në këtë moment është moment hidhërimi dhe trishtimi", tha ai për mikrofonin e RTSH.

Ora 09:01-  Publicisti Veton Surroi: Themeli i rrëfimit bashkëkohor quhet Ismail Kadare

Publicisti Veton Surroi ka deklaruar se themeli i rrëfimit bashkëkohor quhet Ismail Kadare. Nga ambientet e TKOB për të kryer homazhet për gjeniun e letrave shqipe, Surroi u shpreh se Kadare është simbol i unitetit të gjuhës shqipe dhe një autoritet moral intelektual që ka kapërcyer dimensionet politike.

“Unë ndjej obligim personaL, kombëtar të jap nderimin e fundit Ismail Kadaresë, jo vetëm në afërsinë time me të, por me afërsinë që i kemi bërë si komb. Ismail Kadare është rrëfimi i shqiptarëve i përmbledhur, një rrëfim i sajuar me gjuhë, me një kapacitet tregimi, i cili e ka shndërruar gjuhën shqipe dhe tregimin e  gjuhës shqipe në gjuhë universale, në gjuhë në vlerë civilizuese. Kjo është një arritje e madhe. Dyert që ka hapur Ismail Kadare, janë të hapura gjithnjë për shqiptarët.

Themeli i rrëfimit bashkëkohor është aty, quhet Ismail Kadare. Jo vetëm simbol i unitetit të gjuhës shqipe, por një autoritet moral intelektual që ka kapërcyer dimensionet politike, të kohërave për të arritur këtu ku jemi”, tha Surroi.

Ora 07:00- Gazetarja jep detaje mbi homazhet 

Gazetarja Sonila Agostini në një lidhje të drejtpërdrejtë me studion e RTSH 24, teksa ndodhej në ambientet e jashtme të TKOB, dha detaje në lidhje me homazhet dhe ceremonialin që do të mbahen për të nderuar veprën dhe gjithçka la pas shkrimtari i madh Ismail Kadare.

Agostini bëri me dije se në salla brenda TKOB është kthyer në një memorial gjigand, ndërsa shtoi se një instalacion i madh që shënon figurën e shenjtores shqiptare Nënë Tereza qëndron mbi arkëmortin ku do të vendoset trupi i pajetë i Ismail Kadaresë.

Këtu do të nisin homazhet publike e më pas ceremoniali shtetëror i cili shërben për të nderuar veprën dhe gjithçka la pas i madhi Ismail Kadare, shkrimtari më i mirë ndër kohërat tona, siç thoshte At Zef Pëllumbi “unë jam nën një llogore me Ismail Kadare”, thoshte At-i, të cilin e konsideronte si një nga luftëtarët e identitetit shqiptar të mbrojtjes së kulturës shqiptare në Europë.

Për ceremonialin, punonjësit e protokollit të shtetit po japin përgatitjet e fundit.

Salla brenda TKOB është kthyer në një memorial gjigand, instalacion i madh që shënon figurën e shenjtores shqiptare Nënë Tereza qëndron mbi arkëmortin ku do të vendoset trupi i pajetë i Ismail Kadaresë.

Pranë sallës në karriget ku zakonisht ulen spektatorët për të ndjekur shfaqjet në TKOB, do të qëndrojnë familjarët, miqtë të afërmit e Kadaresë, lexuesit e tij, të gjithë ata që në këtë ditë do të kryejnë reflektimin personal për jetën e Ismail Kadaresë dhe shenjën që ai la pas.

Shenja e tij janë dhjetëra-qindra poezitë, tregimet, romanet, novelat, gjithçka që ai la për shqiptarët si një pasuri e paçmuar për thesarin e trashëgimisë dhe kulturës së shtetit dhe kombit shqiptar”, u shpreh Agostini.

Gazetarja bëri me dije gjithashtu se personalitete të shumta nga të gjitha trevat shqipfolëse do të marrin pjesë në ceremonial. Ajo deklaroi gjithashtu se, në hyrje të Teatriyt Kombëtar të Operës dhe Baletit do të vendoset një ekspozitë e vogël me libra të të ndjerit Kadare të përkthyer në 45 gjuhë të botës.

Nuk do mungojnë personalitet të shumta nga të gjitha trevat shqipfolëse që do jenë pjesë e ceremonialit e protokollit shtetëror.

Në hyrje të TKOB, në hyrje të institucionit do të ketë një ekspozitë të vogël, libra të shumtë të Kadaresë të përkthyer në më shumë se 45 gjuhë të botës janë vendosur në holl.

Pranë këtij vendi është vendosur dhe tryeza bashkë me librin e ngushëllimeve që do jetë pjesë e fondit të art bibliotekës kombëtare më pas sepse aty do të shkruhen përshtypjet e të gjithë njerëzve që do të marrin pjesë në homazhe”, bëri me dije Agostini.

Ismail Kadare u nda nga jeta mëngjesin e 1 korrikut në moshën 88-vjeçare. Këshilli i Ministrave vendosi të shpallte datën 2 dhe 3 korrik ditë zie në nder të personalitetit të shquar të letrave shqipe. Përgjatë këtyre dy ditëve, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike, flamuri kombëtar është ulur në gjysmë shtizë.

Kosova ditë zie në nder të Ismail Kadaresë

Po ashtu, edhe Kosova e shpalli ditën e sotme (3 korrik) ditë zie në nderim të kolosit të letrave shqipe, shkrimtarit shqiptar me famë botërore, të ndjerit Ismail Kadare.  

Presidentja Osmani, në qershor të vitit të kaluar, e ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me Urdhrin “Hasan Prishtina”, ndër Urdhrat më të lartë të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kombit.

Ndërsa, në gusht, Presidentja shpalli dekretin me të cilin shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, i është dhënë nënshtetësia e Republikës së Kosovës.

Kush ishte Ismail Kadare?

Kadare kreu studimet në Moskë, por u detyrua t'i braktisë studimet për shkak të prishjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. U kthye në atdhe ku nisi punën si gazetar dhe i mëshoi karrierës letrare, por edhe si redaktor i seksionit të letërsisë së huaj në revistën letrare "Drita".

Veprat i tij i shpëtuan edhe censurës së komunizmit, si vepra e tij e famshme "Pallati i ëndrrave". Kadare është vlerësuar me çmimet botërore “Cino del Duca”, çmimin “Man Booker” ndërkombëtar, Çmimin e letërsisë së Princit të Asturias, çmimin “Jerusalem”, çmimin “Nonino 2018”,  çmimin “Bokacio”, çmimin “Lerici Pea” po në Itali. Presidenti francez Macron i dha titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”, duke e cilësuar si “autor i mrekullueshëm i historisë së Ballkanit”. 

Largimi i tij nga jeta është një humbje e madhe me kombin dhe letërsinë shqiptare, për miqtë, familjarët dhe kolegët.

Karriera e Ismail Kadaresë

Përgjatë viteve '50 dhe në fillimet e viteve '60 u njoh për poezi dhe për prozë. Pas kthimit nga Moska, veprën “Qyteti pa reklama” e këshilluan që ta mbante të fshehur. Nga ky roman shkëputi një fragment, i cili u botua si novelë me titullin “Ditë kafenesh më 1962” te "Zëri i Rinisë". Sapo u publikua nga shtypi u ndalua, si vepër dekadente. Në vitin 1963 e botoi romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që trajtonte temën e një gjenerali italian dhe një prifti që vijnë në Shqipëri për të marrë eshtrat e ushtarëve italianë të rënë në Luftën e Dytë Botërore. Romani pasues, Përbindëshi, u botua në revistën "Nëntori", por u ndalua.

Më 1967 u caktua në delegacionin e Lidhjes së Shkrimtarëve që u dërgua në Kinë, bashkë me disa delegacione të tjera. Në atë kohë Revolucioni Kulturor në Kinë ishte në kulm. Përvojat e tij në Kinën komuniste do t'i trajtonte më vonë në veprën e tij.

Në fillim të vitit 1970 shtëpia botuese franceze Albin Michel botoi në frëngjisht romanin Gjenerali i ushtrisë së vdekur. Ai pati jehonë të jashtëzakonshme në Francë dhe brenda tri vjetësh u përkthye në gati 20 gjuhë. Shkroi e botoi romanet Kështjella (1970) dhe Kronikë në gur (1971), të cilat u botuan në Francë njëra pas tjetrës. Gjatë këtyre viteve drejtonte po ashtu revistën e vetme në gjuhë të huaj të Lidhjes së Shkrimtarëve, "Les Lettres albanaises". Pas suksesit në Francë, e caktuan deputet dhe pas dy vitesh u anëtarësua në Partinë e Punës të Shqipërisë.

Pas publikimit të dy romaneve me temë historike, Kadare u përball prapë me kritikat për shmangien e temave "aktuale", prandaj mendoi të shkruante një roman me temë prishjen e Shqipërisë me vendet tjera komuniste në dimrin e viteve 1960-1961. Romanit i vuri titullin Dimri i vetmisë së madhe. Sapo doli në fillim të vitit 1973, në sajë të kritikave  u përpunua dhe u ribotua në vitin 1977 nën titullin e ndryshuar Dimri i madh dhe u përkthye edhe në frëngjisht.

Fillimin e tetorit të 1975 çoi për botim poemën Pashallarët e kuq. Më 1978 botoi përmbledhjen e parë me novela Muzgu i perëndive të stepës, Ura me tri harqe, Kamarja e turpit dhe Komisioni i festës në një vëllim të përbashkët.

Romani i radhës Nata me hënë i dalë në fillim të 1985, u ndalua. Të nesërmen e vdekjes së diktatorit, më 10 prill, anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve, Byrosë Politike dhe Komitetit Qendror të Partisë Komuniste organizuan me ngut një mbledhje për të dënuar romanin e fundit të tij. Romanin tjetër "Vajza e Agamemnonit", ku në mënyrë të hapur shpreh mendime kundër regjimit komunist, e shkroi më 1985 dhe bashkë me disa vepra të tjera antikomuniste e nxori fshehtas jashtë shtetit nëpërmjet botuesit dhe mikut të tij francez Claude Durand, me udhëzimin që të botoheshin në rast se Kadare pësonte ndonjë "aksident" në Shqipëri. Me qëllim që t'i bënte të njohur perëndimit situatën në Shqipëri, i dha botuesit të tij francez të dhëna të detajuara mbi burgjet dhe kampet e internimit të Shqipërisë komuniste të cilat më pas u botuan në një gazetën L'Express në Paris.

Në vitin 1986 botoi romanin Krushqit janë të ngrirë që fliste për dhunën dhe terrorin që përdornin serbët kundër shqiptarëve në Kosovë. Romani ishte frymëzuar nga demonstratat e shqiptarëve të Kosovës më 1981. Në vitin 1988 u bë anëtar i Institutit Francez.

Në fund të vitit 1990 Kadare u largua drejt Francës ku mundi të ushtrojë profesionin e tij në liri të plotë. Mërgimi i tij në Paris qe i frytshëm dhe i mundësoi sukses të mëtejshëm, si në shqip ashtu edhe në frëngjisht.

Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar, duke shtuar lirinë e autorit për të trajtuar tema që më parë nuk mund të trajtoheshin lirshëm.

/rtsh.al/