RTSH 24 Live

Politikë

Begaj shpalli zgjedhjet në Himarë më 4 gusht, Bardhi: Shkeli Kushtetutën, vendimi i KQZ s’është ende i ekzekutueshëm

05/07/2024

Begaj shpalli zgjedhjet në Himarë më 4 gusht, Bardhi: Shkeli Kushtetutën, vendimi i KQZ s’është ende i ekzekutueshëm

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi e ka konsideruar në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit, vendimin e Presidentit Bajram Begaj, që shpalli zgjedhjet në Himarë më 4 gusht.

Bardhi shkruan se vendimi i KQZ-së, që i hoqi mandatin e kryebashkiakut Fredi Belerit, nuk është ende i ekzekutueshëm pa kaluar afati i ankimimit.

Duke e konsideruar si “teatër të koordinuar”, Bardhi shprehet se, sipas tij, vendimi i sotëm tregoi asgjësimin politik të institucionit të Presidentit.

Çfarë turpi për Pesidentin e Republikës që shkel hapur Kushtetutën dhe ligjin duke dekretuar zgjedhje pa një vendim të ekzekutueshëm ende për pavlefshmëri të mandatit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës.

Teatri i sotëm i koordinuar mes Edi Ramës dhe një gjenerali të bërë ushtar, është një atentat ndaj shtetit ligjor, që tregon asgjësimin politik të institucionit të Presidentit të Republikës. Vendimi i sotëm i KQZ nuk është ende i ekzekutueshëm pa kaluar afati i ankimit. Presidenti i Republikës Bajram Begaj gabon rëndë kur mendon se problemet e tij të integritetit në detyrat shtetërore pararendëse do i tejkalojë duke u sjell si vartës i rëndom i Edi Ramës”, shkruan Bardhi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i hoqi sot mandatin e kryetarit të Bashkisë Himarë  Belerit, në një seancë ku i ishte i pranishëm edhe ky i fundit. Menjëherë pas këtij vendimi, kryeministria i dërgoi një letër Presidentit, duke i kërkuar që të shpallte një datë për zgjedhjet në Himarë. Nuk vonoi as vendimi i Presidentit, që shpalli datën 4 gusht për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

/rtsh.al/