RTSH 24 Live

Politikë

Pr/ligji për “Kodin Zgjedhor”, Basha: Sabotim i listave të hapura dhe i votës së diasporës

08/07/2024

Pr/ligji për “Kodin Zgjedhor”, Basha: Sabotim i listave të hapura dhe i votës së diasporës

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar në lidhje me propozimin e PS për zgjedhoren. Në një postim në Facebook, Basha shkruan se sabotimi i listave të hapura dhe i votës së diasporës është kurorëzimi i një plani anti-demokratik kundër interesave të qytetarëve shqiptarë.

Sipas tij, dështimi i Reformës Zgjedhore, kishte pikerisht këtë qëllim, që shqiptarët të mos zgjidhnin me votën e tyre deputetët në parlament dhe që të pamundësohet vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.

Basha sjell në vëmendje propozimet e Demokratëve Euroatlantikë për lista të hapura, Shqipëria një zonë zgjedhore dhe garantimi i votës së diasporës, të cilat ndodhen prej muajsh në syrtarët e Kuvendit.

Ndërsa më tej ai thotë se shqiptarët do të kenë mundësi të shohin në Kuvendin e Shqipërisë se kush është për lista te hapura dhe kush jo, kush është pjesë e pazarit me Edi Ramën ne kurriz të shqiptarëve dhe kush mbron interesin e tyre.

/rtsh.al/