RTSH 24 Live

Politikë

KQZ i heq mandatin e kreut të Bashkisë Himarë, Fredi Belerit

05/07/2024

KQZ i heq mandatin e kreut të Bashkisë Himarë, Fredi Belerit

KQZ i ka hequr mandatin Fredi Belerit si kryetar i Bashkisë së Himarës. Në mbledhjen e sotme, ku prezent ka qenë edhe vetë Beleri i shoqëruar nga forcat e policisë, u mor vendimi për shpalljen e mandatit të tij në krye të Bashkisë Himarë, i pavlefshëm.

“Me bindje të plotë, unë mendoj se jemi në kushtet e humbjes së mandatit të kryetari të bashkisë Himarë, z.Beleri. Shpallim të pavlefshëm këtë mandat, kundër këtij vendimi mund të bëhen ankimim brenda 30 ditëve. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen elektronike”, u shpreh kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi.

Fill pas vendimit Beleri është shoqëruar sërish nga Policia për në ambientet ku vuan dënimin për shit-blerje votash.

Beleri nga burgu në KQZ: Të betohem dhe më pas të më shkarkojnë

Fredi Beleri ka marrë pjesë fizikisht në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për shqyrtimin e mandatit të tij në krye të Bashkisë së Himarës. 

Në fjalën e tij, Beleri ka deklaruar se nuk ka pasur vullnet politik që ai të lejohej të shkonte nga burgu në Himarë për t’u betuar dhe këtë fakt, sipas tij, e vërteton prezenca e sotme në mbledhjen e KQZ.

Beleri hodhi akuza se dy nënkryetarët e Bashkisë Himarë janë emëruar në mënyrë të paligjshme, ndërsa deklaroi se kryetari aktual në detyrë është subjekt i SPAK. Ai theksoi sakaq se gjysma e punonjësve të Bashkisë së Himarës kanë frikë se do shkojnë në burg për shkak të shkeljes që kanë bërë me tenderat.

Duket qartë se s’ka bazë ligjore për shqyrtimin e sotëm. Dikush do të nxjerrë gështenjën nga zjarri nga duart e KQZ. Institucioni që drejtoni është i vetmi që deri tani ka ruajtur nderin e shtetit . Institucionet  e tjera janë bërë pjesë e paligjshmërisë ndaj meje dhe banorëve të Himarës.

Siç erdha edhe këtu, mund të kisha shkuar dy herë në Himarë të iasha betuar. Vullnet politik ishte sot. nga drejtoria e burgjeve, ministri i drejtësisë dhe kryeministri më dha lejen. Këtë leje fare mirë mund ta kisha për të bërë betimin. Ata që nuk duan të himarjotët të shprehen. Unë duhet të betohem dhe të më shkarkojnë.

Mandati im si kryetar i bashkisë Himarë ka mbaruar. Duket qartë arroganca e tyre, të bëhen zgjedhje kur ata duan, t’i bëjnë në mes të gushtit.

Pse? Kanë frikë se gjysma e bashkisë do shkojë në burg, kanë dy nënkryetar bashkie të paligjshëm të emëruar. Kryetari në detyrë është subjekt i SPAK, gjysma e administratës së bashkisë janë subjekt i SPAK për punë tenderash. Ata kanë ankth që ta kalojnë përmes rrugës ligjore.

Ti drejtoheni Kushtetueses për ta zgjidhur këtë punë njëherë e mirë”, tha Beleri.

Avokatja e Belerit: KQZ ka tejkaluar kompetencat që parashikon ligji

Avokatja e këtij të fundit, Klodiana Gyzari në fjalën e saj, deklaroi se KQZ nuk ka kompetencat për shqyrtimin e mandatit të Belerit në këtë fazë, pasi sipas saj, mund të kryejë vetëm verifikimin e të dhënave të dekriminalizimit.

Sipas avokates, KQZ ka tejkaluar kompetencat që parashikon ligji.

“KQZ nuk e ka kompetencën për shqyrtimin , për të marrë këtë iniciativë për arsye se nuk ja ka parashikuar as Kodi Zgjedhor as neni 138, të drejtën që të shqyrtojë vlefshmërinë e zgjedhjeve në fazën që janë tani kur Fredi Beleri e ka marrë mandatin nga KQZ.

në këtë fazë që është procesi nga ana e KQZ s’mund të merren iniciativa të tilla.

KQZ mund të kryejë verifikim të tillë vetëm në të dhënat e dekriminalizimit.

Asnjë e dhënë jashtë këtij formulari s’mund të merret në shqyrtim nga KQZ. Procedura është e pavlefshme.

KQZ ka tejkaluar kompetencat që parashikon ligji”, tha ajo.

Dekalarata e saj është hedhur poshtë nga përgfaqësuesi i PS-së Ervin Salianji,i cili u shpreh se është rasti kur palët nuk duhet të diskutojnë procedurën.

Celibashi: KQZ brenda kompetencave në këtë proces, nuk i shërben askujt tjetër

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi iu përgjigj avokates së Fredi Belerit duke thënë se KQZ e ka kompetencën për të kryen proces administrativ kur një kandidat preket nga ligji i dekriminalizimit, ku Beleri është dënuar nga gjykata.

Celibashi tha se procesi për shqyrtimin e mandatit KQZ e ka nisur në bazë të ligjit dhe jo në bazë të interesave të të tjerëve.

“Ky proces administrativ dhe vendimmarrja që do e pasojë nuk kanë asnjë nxitje tjetër jashtë asaj që KQZ e nxit ligji për dekriminalizimin legjislacioni shqiptar dhe Kushtetuta. Të tjetër mund të kenë gjykimet e tyre mbi atë që thash, por është fakt i pakundërshtueshëm pasi nuk ka asnjë provë që në këtë proces KQZ nuk është futur as për t’i shërbyer dikujt dhe as për të prishur interesat e dikujt.

KQZ nuk është gjykatë por vendimmarrja është e tillë që jo të gjitha palët do të mbeten të kënaqura. Duke qenë një çështje që ka rëndësinë që ka pa e përkufizuar konkretisht këtë rëndësi, në fund ngelet ajo që sa në përputhje me ligjin është kjo vendimmarrje. Në vlerësimin ligjor çfarë përmban ky proces do të doja të thoja që KQZ është kompetente për të zhvilluar këtë proces administrativë. Ligji për dekriminalizimin ka si qëllim që të ndalojë dhe të largojë të gjithë ata funksionarë publik në kushtet kur kanë kryer vepra penale të caktuara po kanë masa dënimi të caktuar”, tha Celibashi.

Në mbledhjen e djeshme, pas kërkesës së avokates së tij, kreu i KQZ Ilirjan Celibashi vendosi të shtynte për sot mbledhjen me qëllim që Beleri ose të mund të merrte pjesë fizikisht, ose përmes platformave online.

Arrestimi i Belerit

Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit, për shit-blerje votash dhe në krye të Bashkisë së Himarës u vendos Jorgo Goro, i cili pas 10 muajsh në krye të institucionit u arrestua pasi u akuzua se ka ndërhyrë për të tjetërsuar prona në favor të të tretëve në mënyrë që të përfitonte më pas statusin e investitorit strategjik. Kryetar i komanduar i Bashkisë së Himarës aktualisht është Arqile Bollano.

/rtsh.al/