RTSH 24 Live

Politikë

Kryesia e PD komandon Eliona Shkrelin për të drejtuar degën në Shkodër: Do të fitojmë mbi regjimin e Ramës

6 orë para

Kryesia e PD komandon Eliona Shkrelin për të drejtuar degën në Shkodër: Do të fitojmë mbi regjimin e Ramës

Kryesia e PD-së ia ka besuar Eliona Shkrelit drejtimin e degës së demokratëve në qytetin e madh verior. Ajo është emëruar si drejtuese e komanduar në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit.

Shkreli është përzgjedhur mes 25 emrave të propozuar nga strukturat lokale demokrate, duke zëvendësuar Gjenarin Kapcarin, i dorëhequr prej 10 muajsh. Kjo është hera e parë që një grua drejton PD-në në Shkodër.

Pas vendimit, Shkreli, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale u shpreh se Është vlerësim dhe përgjegjësi e lartë të drejtoj degën e Partisë Demokratike Shkodër!

“Falenderoj kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë prof.dr.Sali Berisha dhe Kryesinë e Partisë Demokratike të Shqipërisë për besimin ndaj meje duke më besuar përgjegjësinë e drejtimit te degës së Shkodrës që është edhe qyteti simbol i Partisë Demokratike, qyteti i lirisë dhe i revoltave anti komuniste të cilat ishin pikënisje të ndryshimeve të mëdha në Shqipëri, në rrëzimin e regjimit Enverist dhe instalimin e pluralizmit. Një falënderim të veçantë kam për Gjenarin Kapcari, i cili e drejtoi degën e Shkodrës në kohë shumë të vështira për Partinë Demokratike dhe opozitën.”, shkruan Shkreli.  

Sipas saj, të gjithë së bashku, me drejtuesin politik te Qarkut Shkodër, profesor Luçiano Boçi, strukturat e PD-së, miqtë, kolegët, kontributorët ndër vite të kësaj partie, militantët, aleatët do ia dalim ta çojmë Shkodrën edhe një herë tek vlerat e saj historike dhe kulturore duke e çliruar nga kthetrat e komunistëve rilindas, bandave kriminale dhe lekëve të drogës e korrupsionit.

“Të gjithë bashkë do t’ia dalim të fitojmë mbi regjimin e Ramës dhe hajdutëve të Tij në pushtet, sot, më të bindur se kurrë më parë. Shkodra do i kthehet lirisë dhe shpresës sepse të gjithë bashkë, si ekip i Partisë Demokratike Shkodër do të bëjmë të mundur të garantojmë fitoren e padiskutueshme në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025. Bashkimi i të gjithë demokratëve do jetë fokusi kryesor i punës sonë të përbashkët sepse është koha të largojmë mëritë, inatet, qejfmbetjet dhe të bashkohemi në një kauzë të vetme: Rrëzimin e pushtetit hajdut të Edi Ramës, Benet Becit dhe rilindasve që po i pijnë gjakun përherë e më shumë shqiptarëve e shkodranëve në këto 12 vite sundim diktatorial rilindas. E bindur në fitoren e Partisë Demokratike, do punojmë fort që Shkodra t’i rikthehet vlerave të Saj antikomuniste si qyteti që u persekutua në sistemin Enverist dhe vazhdon të persekutohet nga pinjollët Enveristë në pushtetin Ramist! Fitorja fillon nga Shkodra!”, mbyll postimin Shkreli.

/rtsh.al/