Drejtori i Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Elton Alushi, në një konferencë për media deklaroi se është arrestuar autori i dyshuar për vrasjen e 81-vjeçarit Xhemal Meta në Shëngjin të Tiranës.
Sipas tij, personi i arrestuar është Isuf Hasa, i cili ka shkuar në shtëpinë e Metës dhe janë konfliktuar për motive të dobëta.
64-vjeçari Isuf Hasa dyshohet se e ka goditur Metën me çekiç në pjesën e prapme të kokës, pasi kishte shkuar në shtëpinë e viktimës dhe ishte konfliktuar për motive të dobëta. Goditja i shkaktoi vdekjen 81-vjeçarit.
Autori dyshohet se e fshehu objektin e krimit në shtëpinë e vajzës së tij, ndërsa para se të largohej i mori viktimës edhe një shumë parash që i gjendej në xhep.
“Më datë 13.01.2025, shërbimet e Komisariatit të Policisë nr.4, kanë marrë njoftim nga një shtetas se komshiu i tij shtetasi Xhemal Meta është konstatuar i pa jetë në oborrin e banesës së tij. Shërbimet e Policisë dhe Grupi Hetimor kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nga veprimet e para hetimore ka lindur dyshimi se ky shtetas mund të ishte vrarë me sende të forta. Për hetimin dhe zbardhjen e rastit u krijua një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijoi punën intensivisht për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.Falë punës hetimore intensive, brenda 48 orësh është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar.”, deklaroi Drejtori i Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Elton Alushi.
Sipas tij, nga tërësia e veprimeve të thelluara hetimore ka rezultuar se ngjarja ndodhi ditën e hënë, më 13 janar rreth orës 09:00.
“Nga veprimet hetimore dyshohet se autori i dyshuar Isuf Hasa, pasi e ka goditur viktimen i ka marrë dhe një sasi vlerash monetare që ai mbante në xhep, dhe më pas është larguar. Nga kontrollet e shumta të kryera në disa banesa të autorit dhe familjarëve të tij, janë gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 200.000 lekë të rinj. Po nga kontrollet e ushtruara në banesën e shtetases L.H,(vajza e autorit të dyshuar) në fshatin Gjokaj, Vorë, Shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sendin e dyshuar (çekiç) më të cilin autori ka kryer vrasjen”, tha Alushi.
/rtsh.al/