RTSH 24 Live

Politikë

KQZ i hoqi mandatin Belerit, Kryeministria letër Begajt: Caktoni datën e zgjedhjeve në Himarë

05/07/2024

KQZ i hoqi mandatin Belerit, Kryeministria letër Begajt: Caktoni datën e zgjedhjeve në Himarë

Vetëm pak orë pas KQZ vendosi pavlefshmërinë e mandatit të Fredi Belerit si kryetar Bashkie për Himarën, Kryeministria ka kërkuar nga Presidenca shpalljen e datës së zgjedhjeve për këtë bashki.

Përmes një letër të firmosur nga Aekretari i Përgjithshëm Engjëll Agaçi, i kërkohet presidentit Begaj që në kushtet kur tashmë nuk ka një kryetar në Bashkinë Himarë, caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme për kryetarin e Bashkisë Himarë brenda afateve që përcakton ligji zgjedhor.

Këtë të premte (5 korrik ) KQZ vendosi t’i heq mandatin Fredi Belerit si kryetar i Bashkisë së Himarës, i cili ishte i pranishëm në seancën. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se KQZ e ka kompetencën për të kryen këtë proces administrativ kur një kandidat preket nga ligji i dekriminalizimit, ku Beleri është dënuar nga gjykata. Vetë Beleri e cilësoi procesin ndaj tij si politik.

Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit, për shit-blerje votash dhe u dënua nga Apeli i GJKKO-së me 2 vite burg për korrupsion zgjedhor.

Letra e Kryeministrisë

E nderuar,

Në zbatim të ligjit nr.138/2015, "Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike", Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është organi kompetent për administrimin, verifikimin, zbatimin e ndalimeve për zgjedhjen dhe emërimin për funksionet publike etj.

Me vendimin nr.69, datë 5.7.2024, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nëpërmjet Komisionerit Shtetëror konstatoi pamundësinë e ushtrimit të detyrës nga kryetari i zgjedhur i bashkisë, zoti Dhionisios (Alfred) Petro Beleri dhe si pasojë ka shpallur të pavlefshëm mandatin e kryetarit të bashkisë, pasi ai është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për veprën penale "Korrupsioni aktiv në zgjedhje" parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal. Kjo vepër hyn në kategorinë e veprave penale, për kryerjen e të cilave persona të caktuar nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie etj.

Në lidhje me këtë vendimmarrje kemi marrë njoftim zyrtar nga ana e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Nisur nga sa më sipër dhe në zbatim të detyrimeve ligjore që burojnë nga Kodi Zgjedhor përkatësisht neni 10 i Kodit, si dhe neni 61, paragrafi 4, i ligjit nr.139/2015, "Për vetëqeverisjen vendore", ju njoftojmë për krijimin e vakancës për kryetar të Bashkisë Himarë, e si rrjedhim caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme për kryetarin e Bashkisë Himarë brenda afateve që përcakton ligji zgjedhor.

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin,

SEKRETARI I PËRGJITHSHËM

Engjëll AGAÇI

/rtsh.al/