Përcaktimi i kuotave prioritare prej të cilave do të përfitohet bursë studimi sa paga minimale do të bëhet pas ngritjes së një komisioni, ku anëtar do të jenë përfaqësues të senateve. Kjo do t’u japë më shumë mundësi universiteteve në vendimmarrje.
Zv.Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ana Kapaj sqaron për RTSH risinë e këtij viti.
“Ministria ka vendosur që këtë të vit të bëjë disa ndryshime të nevojshme për t’i dhënë një shtysë kësaj politike të ndjekur deri më tani. Kemi menduar të ngremë një komision i cili të bëjë konvertimin nga këto fusha prioritare në programe studimesh prioritare të atashuar në universitete të Shqipërisë. Më pas të caktojë numrin ekzakt të kuotave prioritare që do t’i jepen këtyre universiteteve publike. Duam t’i japim zë universiteteve në vendimmarrje”, tha Kapaj.
Sipas ministres Kapaj, për të nxënësit e shkëlqyer ka disa specifika të tjera.
“Nxënësit ekselent janë një nga fasha që prek kjo VKM. Nxënësit ekselentë duhet të mbajnë një mesatare të lartë dhe duam që këtë cilësi ta ruajnë deri në dalje", tha ajo.
Qeveria miratoi një javë më parë fushat dhe programet e studimit që janë prioritet kombëtar, si dhe mbështetjen financiare për studentët e shkëlqyer që do të ndjekin këto degë gjatë vitit akademik 2024-2025.
“Studentë të cilët fitojnë të drejtën e studimit në një prej këtyre programeve prioritete dhe më pas përzgjidhen nga universiteti, në vitin e parë e marrin të plotë bursën. Risi është që në vitin e dytë, këta studentë i nënshtrohen një përshkallëzimi. Dhe ky përshkallëzim varet nga performanca që kanë pasur gjatë vitit të parë", tha Kapaj.
Sipas këtij vendimi studentet qe ndjekin degët prioritare përfitojnë mbështetje financiare në formë të përshkallëzuar sipas ruajtjes së notës mesatare pas vitit të parë të studimeve.
RTSH