RTSH 24 Live

Kosovë

KQZ la jashtë Listën Serbe, ndërkombëtarët në Kosovë të shqetësuar pas vendimit

16 orë para

KQZ la jashtë Listën Serbe, ndërkombëtarët në Kosovë të shqetësuar pas vendimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë nuk e certifikoi të hënën Listën Serbe, partinë më të madhe të serbëve të Kosovës, për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, duke sjellë reagimin e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe Serbisë.

Ambasada amerikane në Prishtinë tha se vendimi i KQZ-së është nxitur nga kritere të motivuara politikisht.

Jemi të shqetësuar nga përfshirja e dukshme e kritereve të motivuara politikisht në procesin e certifikimit të kandidatëve në KQZ. Veprime të tilla minojnë parimet themelore demokratike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, pasi i hapin derën ndikimit subjektiv politik mbi procesin zgjedhor. I bëjmë thirrje çdo partie që ka probleme me proceset e KQZ-së që të shfrytëzojë mekanizmat institucionalë në fuqi, përkatësisht Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë tha se të gjithë kandidatët duhet të kenë mundësi të marrin pjesë në zgjedhje të lira dhe të drejta.

Procesi i certifikimit duhet të bëhet në bazë të standardeve ligjore dhe procedurave në përputhje me ligjet dhe jo në bazë shqyrtimesh politike.

Edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ndau të njëjtat shqetësime me SHBA-të dhe BE-në për moscertifikimin e Listës Serbe.

Zbatimi i barabartë i ligjit për të gjithë është thelbësor. Procesi i certifikimit është procedurë formale që nuk duhet të politizohet”, u shpreh Jorn Rohde, ambasadori gjerman në Kosovë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç akuzoi kryeministrin Albin Kurti se po tenton të eliminojë kundërshtarin e vetëm në Kosovë, Listën Serbe. Ndërsa vetë kjo parti e cilësoi vendimin e KQZ si të paligjshëm. Për certifikimin e Listës Serbe votuan dy anëtarë të Komisionit, shtatë abstenuan, ndërsa përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër duke theksuar se partia e themeluar dhe e mbështetur nga Beogradi nuk e njeh shtetin e Kosovës.

Gazetare: Vjollca Zharri

/RTSH/