Në konferencën e fundit për këtë vit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vendi rrezikohet nga sulme të tjera terroriste.
Kurti tha se Millan Radoiçiq ka urdhëruar kryerjen e sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor, ndërsa shteti i Serbisë ka përgjegjësi për financim, planifikim dhe logjistikën e sulmit.
“Sulmi i 29 nëntorit në kanalin Ibër-Lepenc është vazhdimësi e akteve dhe sulmeve terroriste, dhe aktiviteteve tjera destabilizuese të kryera nga mekanizmat e ndikimit të Serbisë në Kosovë, përfshirë organizatat terroriste serbe. Duke marrë parasysh se akte të tilla terroriste kërkojnë përgatitje profesionale në diversion, dhe faktin se Millan Radoiçiq përkrahet edhe nga strukturat shtetërore të Serbisë, vlerësohet se edhe shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit është përkrahur me planifikim dhe logjistikë nga shteti i Serbisë”, tha kryeministri i Kosovës.
Kurti tha se këto deklarata i bazon në të dhënat e inteligjencës dhe autoriteteve të sigurisë.
"Kësi metodash të sfidimit të sigurisë në Kosovë, të cilat për pasojë kanë, jo vetëm cenimin e dëmtimin e infrastrukturës vitale, shkaktimin e incidenteve ndëretnike, të cilat Serbia i nxit fort, pastaj shkaktimin e panikut në mesin e qytetarëve, e krejt në fund edhe krijimin e një imazhi të një vendi jostabil, pritet të ndodhin edhe në të ardhmen e afërt, dhe veçmas para dhe pas Vitit të Ri”, ka thënë Kurti, duke u zotuar se autoritetet janë të përkushtuara për, siç ka thënë, neutralizim të kësaj metode të mbetur serbe.
Millan Radoiçiq është në kërkim nga autoritetet e Kosovës, pasi e ka pranuar organizimin dhe kryerjen e sulmit në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023.
Si pasojë e këtij sulmi, që Kosova e konsideron terrorist dhe e fajëson Serbinë, është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Serbia, në anën tjetër hedh poshtë këto akuza.
Gazetar: Artur Mata
/rsh.al/