Partia Socialdemokrate në Kosovë ka zhvilluar një aksion në formë proteste për të kundërshtuar vizitën e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova. Protesta është zhvilluar në Prishtinë, në afërsi të ambientit ku Trendafilova ka mbajtur një takim me përfaqësues të shoqërisë civile.
Aktivistët e këtij subjekti politik kanë mbajtur pankarta me mbishkrimet: “TrendafilOUT”, “UÇK-ja nuk mund të gjykohet”, “Historia është shkruar, propaganda ka dështuar”, teksa në hyrje të hotelit ku ka qenë Trendafilova është hedhur tymues.
Me këtë rast, policia ka ndërhyrë duke hedhur gaz lotsjellës, teksa ka prangosur kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqaj dhe sekretarin organizativ, Nol Nushi.
“Kjo është përpjekje për disiplinim dhe përmirësim imazhi për gjykatën e padrejtë speciale. Metodat frikësuese neve nuk na ndalin. Gjykata është raciste, e padrejtë dhe segreguese. Rezistenca vazhdon. Z. Trendafilova nuk është e mirëseardhur. Policia mund ta garantojë sigurinë fizike, por jo imazhin e një kryesuese të një procesi të padrejtë. Kërkojmë urgjentisht të lirohen aktivistët tonë!”, thuhet në reagimin e PSD-së. RTK