Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka anuluar të mërkurën vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, duke e urdhëruar atë që të certifikojë partinë politike, Lista Serbe, për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
"Anulohet njoftimi i Komisionit Qendror Zgjedhor, i datës 23.12.2024 dhe urdhërohet KQZ-ja që ta certifikojë subjektin politik Lista Serbe dhe kandidatët e këtij subjekti politik, sipas rekomandimit të Zyrës për Regjistrim, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të subjekteve politike në KQZ të datës 22.12.2024, për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025", thuhet në vendimin e publikuar nga PZAP-i.
Në vendimin e publikuar më 25 dhjetor, PZAP-i tha se Zyra për regjistrim, certifikim dhe kontroll financiar të subjekteve politike kishte rekomanduar që Lista Serbe të certifikohej, pasi kishte dorëzuar dokumentacionin në përputhje me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe me rregullat e tjera të KQZ-së.
Pra, sipas vendimit, Lista Serbe ka plotësuar kriteret pasi ka dorëzuar “deklaratën politike”, listën e kandidatëve dhe aplikimin për secilin kandidatë dhe për këtë parti Zyra për regjistrim dhe certifikim ka marrë informacionet nga institucionet përgjegjëse për verifikimin e partive, ashtu siç kërkohet me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.
Paneli i gjyqtarëve, i përbërë nga gjyqtarët Arsim Hamzaj kryesues, Kujtim Pasuli, Hidajete Gashi-Alaj dhe Bujar Muzaqi tha se, sipas Ligjit për zgjedhje, “KQZ-ja e certifikon subjektin politik me të drejtë pjesëmarrjeje nëse i njëjti e dorëzon aplikimin e dorëzuar në formën e përshkruar dhe në datën e vendosur nga rregullat e KQZ-së”.
“Në rastin konkret, Paneli vërtetoi se Lista Serbe ka dorëzuar aplikimin e kompletuar, në përpushmëni bazuar në nenet 16 dhe 17 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe KQZ-ja është e obliguar që të certifikojë çdo subjekt politik i cili i plotëson kushtet e parapara ligjore, siç i ka plotësuar në rastin konkret Lista Serbe, për çka e njëjta është rekomanduar për certifikim nga Zyra për regjistrim, certifikimin dhe kontrollin financiar të subjekteve politike në KQZ-“, thuhet në vendimin e PZAP-it, panel ku Lista Serbe dorëzoi ankesë një ditë më parë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e certifikoi të hënën Listën Serbe, partinë më të madhe të serbëve në Kosovë për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Vendimi solli edhe reagimin e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe Serbisë. Ambasada amerikane në Prishtinë tha se vendimi i KQZ-së është nxitur nga kritere të motivuara politikisht.
“Jemi të shqetësuar nga përfshirja e dukshme e kritereve të motivuara politikisht në procesin e certifikimit të kandidatëve në KQZ. Veprime të tilla minojnë parimet themelore demokratike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, pasi i hapin derën ndikimit subjektiv politik mbi procesin zgjedhor. I bëjmë thirrje çdo partie që ka probleme me proceset e KQZ-së që të shfrytëzojë mekanizmat institucionalë në fuqi, përkatësisht Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.”
Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë tha se të gjithë kandidatët duhet të kenë mundësi të marrin pjesë në zgjedhje të lira dhe të drejta.
“Procesi i certifikimit duhet të bëhet në bazë të standardeve ligjore dhe procedurave në përputhje me ligjet dhe jo në bazë shqyrtimesh politike.”
Edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ndau të njëjtat shqetësime me SHBA-të dhe BE-në për moscertifikimin e Listës Serbe.
“Zbatimi i barabartë i ligjit për të gjithë është thelbësor. Procesi i certifikimit është procedurë formale që nuk duhet të politizohet”, u shpreh Jorn Rohde, ambasadori gjerman në Kosovë.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç akuzoi kryeministrin Albin Kurti se po tenton të eliminojë kundërshtarin e vetëm në Kosovë, Listën Serbe. Ndërsa vetë kjo parti e cilësoi vendimin e KQZ si të paligjshëm. Për certifikimin e Listës Serbe votuan dy anëtarë të Komisionit, shtatë abstenuan, ndërsa përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër duke theksuar se partia e themeluar dhe e mbështetur nga Beogradi nuk e njeh shtetin e Kosovës.
/rtsh.al/