RTSH 24 Live

Kosovë

Kosovë- Ministria e Ekonomisë: Ngarkesa e madhe po rrezikon rrjetin energjetik

20 orë para

Kosovë- Ministria e Ekonomisë: Ngarkesa e madhe po rrezikon rrjetin energjetik
Termocentrali Kosova B

Ministria e Ekonomisë e Kosovës u ka bërë thirrje të mërkurën qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike, pasi, sipas këtij institucioni, “konsumi ka arritur në nivel shumë të lartë dhe po e rrezikon rrjetin energjetik”.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministria deklaron se mbrëmjen e 24 dhjetorit ka mbajtur një takim me Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe me Kompaninë për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike (KEDS) për të trajtuar situatën me furnizimin me energjinë elektrike, pas ankesave që qytetarët kanë bërë ditëve të fundit.

“KOSTT dhe KEDS raportojnë se, me uljen e temperaturave, konsumi i energjisë elektrike ka arritur nivele shumë të larta, mbi 1400 MË në kohë të caktuara. Si rezultat, sistemi ynë elektro-energjetik është ngarkuar tej mase, duke shkaktuar vështirësi teknike në furnizim dhe duke e rrezikuar rrjetin; kësisoj, ka qenë e domosdoshme që operatorët të bëjnë shkyçje në disa vendbanime ku ngarkesa ka qenë e papërballueshme për rrjetin”, informon  ministria e Ekonomisë.

(Postimi i Ministrisë së Ekonomisë së Kosovës)

Sipas autoriteteve, për shkak të mbingarkesës qytetarët në Ferizaj, Lipjan, Gjakovë, Malishevë, Gjilan, Shtime, Istog, Prizren dhe Fushë Kosovë, kanë pasur ndërprerje të energjisë elektrike.

“Përgjatë javës në vijim, për të ndihmuar sistemin elektro-energjetik, lusim qytetarët që të jenë sa më të kujdesshëm në konsumin e energjisë, sidomos gjatë orëve të paradites nga ora 09:00-12.00 dhe pasdites nga ora18:00-00:00. Kursimi i energjisë në këto orë është thelbësor për të shmangur mbingarkesat dhe për të ruajtur funksionalitetin e sistemit për të gjithë”, apelon ministria e Ekonomisë.

Kosova aktualisht prodhon energji elektrike në dy termocentralet, Kosova A dhe B, që funksionojnë me thëngjill. Por, shteti importon energji me qëllim që të përmbushë kërkesat në rritje të konsumatorëve.

/rtsh.al/