Ministria e Jashtme e Kosovës ka njoftuar se Serbia ka refuzuar vizitën dy ditore të ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, që kishte planifikuar për në Luginën e Preshevës, Medvegjë dhe Bujanoc. Refuzimi është arsyetuar nga Serbia me pretendimin se qëndrimet dhe veprimet e ministrit Sveçla janë të drejtuara kundër komunitetit serb në Kosovë dhe kundër paqes dhe stabilitetit.
Ministri Sveçla kishte planifikuar takime me përfaqësues të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës, dhe vizita ishte pjesë e angazhimeve të tij për të forcimit të lidhjeve me shqiptarët në këtë rajon. Megjithatë, Qeveria e Serbisë ka kundërshtuar këtë vizitë, duke theksuar se veprimet e Sveçlës janë në kundërshtim me përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve dhe stabilitetin në rajon.
“Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, z. Xhelal Sveçla, më datën 23 dhe 24 dhjetor 2024 ka paralajmëruar vizitë zyrtare njëditore në Luginën e Preshevës, Medvegjë dhe Bujanoc. Në kuadër të kësaj vizite, ministri z. Sveçla kishte paraparë takime me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës (KKSH), duke filluar me përfaqësuesit e Zyrës së KKSH-së në Medvegjë, për të vazhduar në Bujanoc, në selinë e KKSH-së, si dhe më pas në Preshevë, në selinë e degës së KKSH-së për këtë komunë. Si pretekst për refuzim janë theksuar qëndrimet dhe veprimet e ministrit Sveçla, të cilat, sipas Qeverisë së Serbisë, janë të drejtuara kundër komunitetit serb në Republikën e Kosovës si dhe kundër normalizimit, paqes dhe stabilitetit. Qeveria e Serbisë gjatë këtyre dy viteve të fundit ka refuzuar rregullisht vizitat e zyrtarëve të lartë qeveritarë të Republikës së Kosovës, posaçërisht kur bëhet fjalë për vizitat në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit", thuhet në njoftimin e ministrisë
Ministria e Jashtme e Kosovës ka theksuar se ky refuzim është pjesë e një politike më të gjerë të Serbisë për të penguar vizitat e zyrtarëve të lartë të Kosovës në këtë rajon, përfshirë refuzimin e vizitave të tjera, si ajo e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hajrulla Çeku, dhe asaj të Zëvendëskryeministres Donika Gërvalla në fillim të vitit 2024. Sipas ministrisë, këto veprime të Serbisë janë pjesë e një strategjie për të mbajtur tensionet dhe për të provokuar konflikte.
“Përveç vizitave të ministrit Sveçla, janë refuzuar rregullisht edhe vizitat e ministrave të tjerë të kabinetit qeveritar të Republikës së Kosovës, e fundit nga të cilat ka qenë vizita e Ministrit për Kulturë, Rini dhe Sport, z. Hajrulla Çeku, e paralajmëruar ditë më parë, më 19 dhjetor 2024. Për më tepër, edhe vizita e Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla, e paralajmëruar në fillim të këtij viti, respektivisht, më 27 shkurt 2024, për të marrë pjesë në Pritjen për Përvjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, e organizuar nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi, ishte refuzuar pa asnjë arsyetim të vlefshëm dhe disa orë para se znj. Gërvalla të arrinte në pikën kufitare. Veprime të tilla të Qeverisë së Serbisë kanë për qëllim të qartë mbajtjen e tensioneve me Republikën e Kosovës në shkallë të lartë. Janë pjesë e provokimeve të vazhdueshme, të cilat Serbia i bën në baza të rregullta dhe me qëllim të shkaktimit të konflikteve, ku aktet terroriste në Banjska dhe Ibër-Lepenc janë manifestimi më i dukshëm i këtyre synimeve nga ana e Serbisë", njofton ministria.
/rtsh.al/