Anëtarët e mazhorancës dhe opozitës në Komisionin Hetimor parlamentar për koncesionet në shëndetësi vizituan spitalin e qytetit të Durrësit për të vëzhguar mjedisin e sterilizimit të pajisjeve mjekësore.
"Gjykoj se patëm një diskutim konstruktiv, informativ me drejtuesen e spitalit, me disa shefa shërbimesh, me nëndrejtoreshën për çështjet ekonomike, si edhe me kryeinfermierin e spitalit, duke trajtuar të gjithë procesin," deklaroi deputetja e PD-së, Albana Vokshi, njëherësh drejtuese e Komisionit Hetimor.
"Është një vizitë, që do të vijojë. Pas hapave procedurialë do të dalim në konkluzione," u shpreh nënkryetari socialist Plarent Ndreca.
Anëtarët e Komisionit, pas miratimit të planit hetimor do të inspektojnë edhe spitale të tjera për t'u njohur me ecurinë dhe mënyrën e operimit të dy koncesioneve: sterilizimi dhe check-up.
Seancat dëgjimore pritet të nisin në fillim të qershorit me grupet e auditit të KLSH-së e më pas me Nismën Thurje, e cila bëri kallëzimin në Prokurorinë e Posaçme për kontratën e shërbimit të sterilizimit.
Dosja për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale u dërgua për gjykim muaj më parë nga Prokuroria e Posaçme.
Ndër të tjerë, një ish-zëvendësministër dhe sipërmarrësi që fitoi koncensionin janë hetuar për akuzën e "mashtrimit" te "falsifikimit të dokumenteve" dhe "shpërdorimi i detyrës" i kryer në bashkëpunim.
/rtsh.al/