Komisioni Evropian ka autorizuar marrëveshjen mes “Lufthansa”-s gjermane dhe linjës shtetërore italiane “ITA Airways”, pas më shumë se një viti negociatash.
“Me paketën e mjeteve juridike të propozuar nga transportuesi ajror gjerman, kushtet për marrëveshjen ishin përmbushur”, njoftoi komisioni në Bruksel të shtunën.
Sipas koncesioneve, “Lufthansa” do t’ua lërë lidhjet e fluturimeve në Itali konkurrentëve të saj “Easy jet”, “Air France-KLM” dhe “International Airline Group”.
Me dritën jeshile nga Brukseli, grupi i transportit ajror me të ardhurat më të larta në Evropë kapërceu pengesën e fundit për një investim në ITA.
Si “Lufthansa” ashtu edhe Ministria Italiane e Financave duhej të angazhoheshin në krahun ekzekutiv të BE-së për miratimin përfundimtar.
Kjo nënkuptonte lejimin e konkurrentëve për të kryer më shumë fluturime të shkurtra dhe të gjata nga Italia dhe të drejtën e ngritjes dhe uljes në aeroportin Milan-Linate.
Plani është që linja ajrore gjermane të blejë fillimisht 41% të aksioneve të ITA-s për një kontribut kapital prej 325 milionë euro.
Gjatë viteve të ardhshme, një marrje e plotë e linjës ajrore mund të bëhet më pas, për më shumë se 800 milionë euro.
“Italia Trasporto Aereo” (ITA) është në pronësi të qeverisë italiane nëpërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe u themelua në vitin 2020 pas falimentimit të “Alitalia”.
Sipas shifrave të fundit, kompania ka rreth 4 900 punonjës.
/ rtsh.al /