RTSH 24 Live

Teknologji

Komisioni Evropian fiton në gjykatën e lartë kundër Apple dhe Google

10/09/2024

Komisioni Evropian fiton në gjykatën e lartë kundër Apple dhe Google

Gjykata evropiane e drejtësisë i dha të martën të drejtë Brukselit në dy çështje gjyqësore të ngritura ndaj j prodhuesit të Iphone Apple dhe kompanisë Google, ku ishin në lojë miliarda euro.   Beteja më e ndërlikuar ligjore ishte ajo mes komisionit evropian dhe Apple, e cila nisi në vitin 2016, kur organi ekzekutiv i bllokut pretendoi se Irlanda kishte lejuar prodhuesin e Iphonit të shmangte taksat me vlerën e miliardave euro.

Sipas llogarive të komisionit, në vitin 2003  Dublini kishte lejuar kompaninë Apple të paguante  një taksë me vlerën e një për qind të fitimeve të saj evropiane, e cila në 2014 kishte rënë në nivelin e 0.005 për qind. Në vitin 2020, Apple fitoi çështjen në gjykatën e përgjithshme të BE-së e cila anuloi urdhrin e komisionit që kompania të paguante detyrimet, një vendim që Brukseli e apeloi. 

Prodhuesi i Iphone tashmë është i detyruar t’i paguajë Irlandës 13 miliardë euro detyrime të prapambetura tatimore. Pak minuta pas marrjes së vendimit për Apple, gjykata evropiane e drejtësisë vendosi pro vendimit të vitit 2017 të komisionit për të gjobitur kompaninë Google me 2.4 miliardë euro,  për shkelje të rregullave të konkurrueshmërinë.

Google dhe kompania e saj mëmë alphabet u akuzuan nga organi ekzekutiv I bllokut se kishin abuzuar me pozicionin e tyre dominues në tregun e reklamave duke favorizuar shërbimin Google shopping që hasej rëndom kur qytetarët evropianë përdornin motorin e kërkimit. Një ditë më parë, ndërkohë, Google u çua në gjykatë nga qeveria amerikane sërish për shkak të biznesit të teknologjisë së reklamave, ku akuzohet se në mënyrë të jashtëligjshme ka krijuar një monopol në treg.

/RTSh/