RTSH 24 Live

Ekonomi

Miratohet ndërtimi i impiantit fotovoltaik në Roskovec me kapacitet 170 MW

18/12/2024

Miratohet ndërtimi i impiantit fotovoltaik në Roskovec me kapacitet 170 MW

Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën ndërtimin e një termocentrali me kapacitet të instaluar 170 MW, në Roskovec të Fierit.

Termocentrali do të ndërtohet nga shoqëria “Fier Thermoelectric” dhe nuk është objekt koncesioni, duke mos përfituar nga masat mbështetëse.

Lidhur me afatet për vënien në punë, parashikohet që koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

Ndërsa afati i operimit të këtij termocentrali do të jetë 49 vjet.

Sipas vendimit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme, me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe dokumentacionin e projektit.

Po ashtu, shoqëria “Fier Thermoelectric”, sh.a., ka detyrimin që të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare, si dhe të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës.

Po ashtu, shoqëria “Fier Thermoelectric”, do t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare.

Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit. Po ashtu shoqëria “Fier Thermoelectric” duhet të përmbushë kërkesën që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.

/ rtsh.al /