Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi bëri të ditur të premten se qindra video pirate me përmbajtje të dëmshme janë bllokuar nga fillimi i bashkëpunimit të AMA-s me platformën TikTok.
Krasniqi tha se “falë bashkëpunimit me qytetarët dhe TikTok janë hequr nga kjo platformë, qindra video/ audio me përmbajtje të dëmshme”.
Kryetarja e AMA-s tha se janë shqyrtuar “730 ankesa të ardhura në drejtim të këtij institucioni, nga të cilat 285 janë vlerësuar në shkelje të ligjit. Nga këto, 280 video/audio janë hequr nga platforma dhe pesë të tjera janë në shqyrtim”.
Sa i takon piraterisë, Krasniqi tha se “nga fillimi i bashkëpunimit me platformën TikTok, janë shënuar: 1305 video të raportuara për pirateri, të cilat janë hequr nga platforma dhe 175 profile të mbyllura pasi janë raportuar për përmbajtje të piratuara”.
Autoriteti i Mediave Audiovizive ka vendosur prej gushtit të këtij viti një bashkëpunim me platformën TikTok, që synon ndalimin e shpërndarjes së përmbajtjeve të dëmshme, siç janë videot ku shfaqet apo nxitet dhunë e çdo lloji, që përmbajnë gjuhë urrejtjeje, apo që shkelin të drejtat e fëmijëve dhe komuniteteve.
/ rtsh.al /