RTSH 24 Live

Aktualitet

Hapet për qarkullimin e automjeteve Unaza e Madhe e Tiranës

30/12/2024

Hapet për qarkullimin e automjeteve Unaza e Madhe e Tiranës

Hapet për qarkullimin e automjeteve Unaza e Madhe e Tiranës, e konsideruar si një nga veprat infrastrukturore publike më të rëndësishme për kryeqytetin. 

I pranishëm në ceremoninë e çeljes edhe të segmentit të fundit të Unazës së Madhe ka qenë edhe Kryeministri Edi Rama, zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Unaza e Madhe është një projekt prej afro 29 kilometrash i gjatë që lidh kryeqytetin me të gjitha rrugët dalëse kombëtare. Unaza e Madhe është projekti më i madh infrastrukturor në kryeqytet, i finalizuar brenda afateve dhe do ta çlirojë Tiranën nga trafiku si dhe do të ketë një impakt të rëndësishëm në ekonomi.

Sipas Ballukut, është dashur të zhvendosen mbi 654 ndërtesa dhe tashmë Unaza është plotësisht e përfunduar.

“Kemi ende disa momente, janë detaje të vogla që përfundojnë brenda janarit. E gjithë Unaza është e kategorisë “A”, urbane me ndriçim apo dhe zona të gjelbra. Në nyjen e Lotit 1, ku lidhet ish-sheshi “Shqiponja” me zonën e Paskuqanit, janë të hapur të gjitha tunelet. Në këtë nyje kalon edhe hekurudha Tiranë-Durrës dhe degëzimi me Rinasin. Për ndërtimin e kësaj autostrade është nevojitur zhvendosja e linjave të energjisë elektrike.”, tha Ballaku.  

Ministrja Balluku deklaroi se edhe projekti për ndërtimin e bajpasit të Ebasanit është gati dhe se kanë nisur negociatat me bankat e huaja për gjetjen e financimit. Ajo, në ceremoninë për hapjen e Unazës Veriore të Tiranës, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Rama, informoi se ndërtimi i bajpasit të Elbasanit do të lehtësojë trafikun e rënduar në një nga korridoret më të rëndësishme të lëvizjes ndërkombëtare.

“Kemi gati studimin dhe kemi nisur fazën e negociatave për kredi me bankat e huaja. Mbetet një nga sfidat e mëdha për t’u zgjidhur, pasi Unaza do t’i japë frymëmarrje Tiranës dhe duhen parashikuar edhe hyrjet dhe daljet, duke qenë se fluksi i trafikut nuk do të ketë të bëjë vetëm me lëvizjet rreth Unazës, por edhe hyrje-daljet në qytet”, deklaroi Balluku.

/rtsh.al/