RTSH 24 Live

Politikë

Kapja e policëve të Kosovës nga Serbia, Rama: E pajustifikueshme, të kthehen në shtëpi! Orban: Takohem me liderët serbë

16/06/2023

Kapja e policëve të Kosovës nga Serbia, Rama: E pajustifikueshme, të kthehen në shtëpi! Orban: Takohem me liderët serbë

Situata në veri të Kosovës ‘ka zbritur’ edhe në konferencën e përbashkët të mbajtur këtë të premte nga Kryeministri Edi Rama, me homologun hungarez Viktor Orban.

Pyetur nga gazetarët nëse Shqipëria do vijojë të presë rezultatet e KFOR për 3 policët e Kosovës të kapur nga forcat serbe, Rama përsëriti thirrjen për lirimin e menjëhershëm të tre efektivëve.

Ai theksoi se KFOR nuk do të japë konkluzione publike, por do të depozitojë dosjen përkatëse në NATO.

Së pari, është imediate nevoja, dosmosdoshmëria, urgjenca që të 3 punonjësit e policisë së Koosvës të kthehen në shtëpi.

Përttej pretendimeve që janë kapur këtu, apo kanë hyrë atje, për të cilat KFOR nuk do të japë konkluzion publik por do të depozitojë dosjen përkatëse në NATO është absolutisht e qartë që në të gjitha rastet tre efktivët nuk kanë bërë asnjë krim dhe, edhe nëse do pretendonim se kanë shkelur vijën e kufirit, ka vetëm një përgjigje, kthimin e tyre në shtëpi. Ne jemi të fokusuar qysh nga momenti i parë që ta bëjmë këtë mundur, po përdorim kanalet e mundshme që kjo të ndodhë sa më parë’, tha Rama.

Pyetur gjithashtu për një zgjidhje të përbashkët për vijimin e dialogut Kosovë-Serbi, Kryeministri Rama u shpreh se zgjidhja është ajo e ofruar nga ndërkombëtarët, që vë theksin te qetësimi i situatës mes palëve.

Për kreun e qeverisë shqiptare, dokumenti i marrëveshjes dhe mundësia historike janë në tryezë, që sikurse tha ai “Për të mbyllur një kapitur shumë të gjatë dhe të dhimbshëm dhe për të hapur një kapitull të ri dhe për ta bërë Kosovën një vend të njohur ndërkombëtarisht, dhe nga Serbia”.

Rama theksoi se mbajtja e tre policëve të Kosovës nga Serbia është e pajustifikueshme. Ai shtoi se, edhe nëse efektivët kanë shkelur kufirin serb, duhet të kthehen në shtëpi.

“Ajo që është me rëndësi është që ata s’mund të mbahen për shkelje kufirin në Serbi sepse nuk kanë bërë asnjë krim edhe sikur të presupozojmë se janë kapur kaq metra në atë anë. Nuk ka asnjë vlerë kjo në raport me ata. Shkelje kufiri do të thotë, kthehu mbrapa. Mbajtja e tyre është e pajustifikueshme nëse shkon përtej ditës së sotme. E pajustifikueshme është që në fillim, por po them që duhet të mbarojë”, përfundoi Rama.

Ndërsa Kryeministri hungarez bëri me dije se javën e ardhshme do të zhvillojë një takim bilateral me liderët e Serbisë, teksa shpreson se deri atëherë situata të jetë zgjidhur.

“Javën tjetër do kemi një takim bilateral me Beogradin. Shpresoj që kjo çështje deri atëherë të zgjidhet’, tha Orban.

/rtsh.al/