RTSH 24 Live

Botë

Kancelari gjerman: Nuk do të dërgojmë avionë luftarakë në Ukrainë

29/01/2023

Kancelari gjerman: Nuk do të dërgojmë avionë luftarakë në Ukrainë

Kancelari gjerman ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të avionëve luftarakë në Ukrainë, vetëm disa ditë pasi ai u angazhua për furnizimin me tanke Leopard 2. Gjatë një interviste me një gazetë gjermane, Olaf Scholz, paralajmëroi se ishte kundër një lumi kërkesash për armë.

Ukraina u ka kërkuar vendeve aleate që të krijojnë edhe një "koalicion avionësh luftarakë", për të forcuar aftësitë e tyre. SHBA tha se idenë e furnizimit me avionë do ta diskutonte "me shumë kujdes" me Kievin.

Në një intervistë me Tagesspiegel, Scholz tha se fokusi i tij ishte në shpërndarjen e tankeve Leopard 2 të prodhimit gjerman.

“Fakti që sapo kemi marrë një vendim [për dërgimin e tankeve] dhe debati i radhës që po ndizet në Gjermani, duket se është joserioz”,- tha ai.

Të mërkurën, Gjermania u zotua të furnizojë Ukrainën me 14 tanke Leopard 2, pas disa javësh presioni nga aleatët. Pas angazhimit të Gjermanisë për të dërguar tanket, edhe SHBA tha se do t'i siguronte Ukrainës tanket e saj M1 Abrams.

Zëvendësministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Melnyk, ka bërë thirrje për krijimin edhe të një "koalicioni të avionëve luftarakë" që do t'i sigurojë Ukrainës avionë amerikanë F-16 dhe F-35, Eurofighters, Tornados, Rafales francezë dhe avionë suedez Gripen.

Këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak, i tha Rrjetit Televizioni të Lirisë së Ukrainës se ata kishin nevojë edhe për raketa "për të reduktuar në mënyrë drastike armët kryesore të ushtrisë ruse".

Edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i bëri jehonë kësaj në një fjalim të përditshëm video ku tha se vendit i duheshin raketa ATACMS të prodhuar nga SHBA, e cila ka një rreze veprimi prej 185 miljesh (297 km). Ai tha se raketat do ta ndihmojnë Ukrainën të përballojë sulmet ruse në zonat urbane dhe ndaj civilëve.

Uashingtoni deri më tani ka refuzuar t'i sigurojë këto armë.

Në intervistën për Tagesspiegel, Scholz përsëriti se NATO nuk ishte në luftë me Rusinë. "Ne nuk do të lejojmë një përshkallëzim të tillë,"- tha ai. Ai konfirmoi se flet rregullisht me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe se telefonata më e fundit mes të dyve ka qenë në dhjetor 2022.

"Ne duhet të flasim me njëri-tjetrin,"- tha ai, por shtoi se ishte gjithmonë e qartë se pushtimi i Rusisë në Ukrainë ishte absolutisht i papranueshëm dhe vetëm tërheqja e trupave të saj do ta zgjidhte situatën. BBC

/rtsh.al/