RTSH 24 Live

Aktualitet

Janullatos në intubim, Primatët e Kishave Orthodhokse të botës luten për shëndetin e Kryepeshkopit të Shqipërisë

5 orë para

Janullatos në intubim, Primatët e Kishave Orthodhokse të botës luten për shëndetin e Kryepeshkopit të Shqipërisë

Primatët e Kishave Orthodhokse të botës luten për shëndetin e Kryepeshkopit Anastas.

Në këto ditë të vështira për shëndetin e tij, primatët e Kishave Orthodhokse në mbarë botën, episkopë, besimtarë të shumtë kanë dërguar letra ku luten për shëndetin e klerikut të lartë.

Gjendja shëndetësore e Kryepeshkopit Anastas Janullatos paraqitet e rënduar dhe prej disa ditësh ai ndodhet i shtruar në spitalin “Evangelismos” në Athinë.

Patriarku Ekumenik Tërëshenjtëria e Tij z. Vartholome në letrën e Tij drejtuar Kryepiskopit Anastas ndër të tjera shkruan:

“Në këto rrethana, Ju përshëndesim vëllazërisht dhe lutemi për një shërim të shpejtë dhe të plotë, që të mund të vazhdoni me veprat tuaja të dashura për Perëndinë, duke lavdëruar dhe falënderuar Atë që “i shëron të gjitha sëmundjet tona” (Psalmi 102:3). Duke Ju përqafuar, fort i dashur dhe i shtrenjtë Fortlumturi, me puthje vëllazërore, mbetemi me dashuri dhe respekt të veçantë në Krishtin”.

8 janar 2025

Më Krishtin, vëlla i dashur i Fortlumturisë tuaj të respektuar,

Vartholomeu i Konstantinopojës

Edhe Patriarku i Jeruzalemit z. Theofil në letrën e Tij ndër të tjera shkruan:

“Prandaj, i lutemi Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht, që u lind në shpellë dhe u vendos në grazhd, t’Ju japë shërim të shpejtë dhe rikthimin e plotë të shëndetit për të vazhduar, me forcë të patundur, shërbesën Tuaj të shenjtë kryepriftërore, baritore dhe misionare, të vlefshme dhe të dashur nga Perëndia, për të mirën e Kishës Orthodhokse në Shqipëri dhe të të gjithë orthodhoksëve të bekuar.

Ju përqafojmë me puthje të shenjtë nga Shpella Perëndipritëse dhe e Shenjtë”.

Më Krishtin, vëlla i dashur i Fortlumturisë tuaj të Perëndimbrojtur,

† Theofili III

Patriarku i Jerusalemit

Edhe Patriarkët e Rumanisë dhe Bullgarisë dërguan letra ku luten për shërimin e Kryepiskopit Anastas.

Patriarku i Kishës së Rumanisë z. Daniel shkruan:

“Fortlumturi, vëlla dhe bashkëmeshëtar,

Në këto momente sprove, i drejtojmë mendimet tona te ju Fortlumturi dhe i lutemi Zotit tonë Jisu Krisht, Mjekut të shpirtrave dhe trupave tona, që të ndihmojë mjekët t’ju lehtësojnë dhimbjen dhe t’ju rikthejnë shëndetin.

Kisha Orthodhokse Rumune lutet së bashku me klerin dhe besimtarët e Kishës vëllazërore Orthodhokse të Shqipërisë për shërimin e plotë të Fortlumturisë suaj”.

Me dashuri vëllazërore në Zotin Jisu Krisht,

† DANIELI

Patriarku i Kishës Orthodhokse Rumune

Në të kremten e Shën Joan Pagëzorit 7 Janar 2025 Patriarku i Bullgarisë z. Daniel lutet për shëndetin e Fortlumturisë së Tij z. Anastas me fjalët:

“Lutemi nxehtësisht para Zotit për shërimin tuaj të shpejtë me hirin e Tij hyjnor, i cili «në dobësi përmbushet» (2 Kor. 12, 9). Perëndia i gjithëmëshirshëm, përmes ndërmjetimeve të Nënës së Tij të papërlyer, Ju dhuroftë shëndet të patundur dhe forcë, që të kapërceni me sukses këtë provë dhe të vazhdoni t’i shërbeni Kishës së shenjtë edhe në të ardhmen, si shembull për të gjithë ne, ashtu si keni bërë deri tani”.

Duke kërkuar bekimet e shenjta të lutjeve Tuaja, mbetemi me dashuri të sinqertë në Krishtin, vëlla dhe bashkëmeshues,

† Danieli

Patriarku i Bullgarisë.

/rtsh..al/