Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, pas një takimi të zhvilluar të premten me kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, deklaroi se një sistem gjyqësor efektiv, i përgjegjshëm dhe i pavarur mbetet kyç për të ardhmen e vendit në BE.
Lajmi u bë i ditur nga vetë ambasadori Gonzato në rrjetet sociale, ku sqaron më tej se në takimin me kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, u diskutua mbi prioritetet dhe sfidat e KLP-së, në kuadë të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, veçanërisht standardet për Kapitullin 23, që mbulon gjithashtu gjyqësorin dhe të drejtat themelore.
“E përgëzova KLP-në për përpjekjet e tyre për të rritur cilësinë në dhënien e drejtësisë për qytetarët shqiptarë dhe njëkohësisht kërkova dyfishimin e këtyre përpjekjeve”, thekson Gonzato.
Sipas tij, BE-ja mbetet e përkushtuar për të mbështetur Këshillin e Lartë të Prokurorisë në përditësimin e praktikave në përputhje me reformën e vitit 2016 dhe standardet evropiane, gjithashtu edhe promovimin e koordinimit të ngushtë midis të gjitha institucioneve të drejtësisë.
/rtsh.al/