RTSH 24 Live

Aktualitet

Hetimet në Shqipëri e Kosovë, SPAK rrëzon Bardhin: Olsi Rama s’është përfshirë në trafik droge

5 orë para

Hetimet në Shqipëri e Kosovë, SPAK rrëzon Bardhin: Olsi Rama s’është përfshirë në trafik droge

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) bëri të ditur të premten se nuk ka prova apo fakte që lidhin Olsi Ramën me trafikun e drogës apo atë që konsiderohet si “laboratori i kokainës” i zbuluar në Xibrakë. Hetimet për këtë çështje janë zhvilluar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë.

Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, SPAK-u njoftoi se ka përfunduar hetimet për procedimin penal nr. 88 të vitit 2024, të regjistruar pas rifillimit të hetimeve të pezulluara të procedimit penal nr. 335/1 të vitit 2016. 

Ky procedim lidhej me veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “Trafikimit të narkotikëve”, dhe “Kryerjes së veprave penale nga grupet e strukturuara kriminale”, të parashikuara në nenet përkatëse të Kodit Penal.

“Hetimet rifilluan pas administrimit të një informacioni të dërguar nga deputeti Gazment Bardhi, i cili pretendoi përfshirjen e shtetasit, Ols Rama në veprimtari të paligjshme. Në kuadër të këtyre hetimeve, SPAK ka kryer një sërë veprimesh hetimore, përfshirë bashkëpunimin me autoritetet kompetente të Kosovës. Nga hetimet ka rezultuar se nuk ekzistojnë prova apo fakte që të lidhin shtetasin Ols Rama me aktivitetin kriminal, për të cilin janë dënuar më parë disa individë. Gjithashtu, nuk janë identifikuar autorë të tjerë të mundshëm për veprat penale në fjalë.”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.

Po sipas SPAK-ut, në përputhje me nenin 326 të Kodit të Procedurës Penale, më datë 23 dhjetor 2024, është vendosur pezullimi i hetimeve për procedimin penal nr. 88, pasi autorët e tjerë të veprave penale nuk janë identifikuar.

Dosja i është dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të vijuar përpjekjet për identifikimin e autorëve.

Denoncimi i Bardhit

Ka qenë kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi, i cili në mars të vitit 2024 denoncoi Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit Edi Rama, si të përfshirë në çështjen e organizatës kriminale të Xibrakës. Bardhi publikoi disa dokumente, që sipas tij vërtetonin përfshirjen e Olsi Ramës.

Sipas Bardhit, “nga të dhënat e sistemit TIMS rezulton se Olsi Rama, vëllai i kryeministrit dhe anëtarët kryesorë të grupit kriminal të Xibrakës, Genci Xhixha, Ermal Hoxha dhe Gentjan Gjonaj, kanë përdorur disa herë, së bashku dhe veç e veç, automjetin me targa AA653DM”.

Gjatë periudhës Prill – Dhjetor 2014, kur u planifikua dhe u zbatua plani për ngritjen e laboratorit të kokainës, automjeti me targa AA653DM është përdorur për hyrje-dalje nga Shqipëria nga Olsi Rama, Genci Xhixha (bosi i grupit kriminal), Ermal Hoxha (anëtar i grupit kriminal) dhe Gentian Gjonaj (anëtar i grupit kriminal). E ndërsa tre të tjerët janë identifikuar nga Policia, duke përshkruar edhe automjetet me të cilët kanë lëvizur gjatë takimit me grupin kriminal në bazën e tyre në Tiranë, 45 vjecari, përdorues i automjetit me targa AA653DM nuk është identifikuar me emër. Pra, policia dhe prokuroria, i vendosin në dosje moshën fikse të personit, por jo emrin! Pak kohë më parë, bëra të njohur faktin se disponoj prova që e lidhin Olsi Ramën, vëllanë e kryeministrit të Shqipërisë, me organizatën kriminale të trafikimit të drogës në Xibrakë, organizatë kjo e zbuluar 10 vite më parë nga organet ligjzbatuese gjermane. Këto prova faktojnë se Shqipëria nuk udhëhiqet nga një qeveri demokratike, por sundohet nga një kryeministër i marrë peng nga organizatat kriminale të trafikut ndërkombëtar të kokainës. Ky është cilësimi më i butë që munda të bëja për Edi Ramën. Sepse faktet që do të prezatoj sot mund ta bëjnë bashkëpunëtor apo në aleancë me këto organizata të krimit të organizuar. Çështja “Xibraka” është modeli i rënies së shtetit dhe i ngritjes së krimit. Ishte laboratori i parë i kokainës që zbulohej në Shqipëri vetëm 1 vit pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës”, deklaronte Bardhi.

Olsi Rama kallëzon penalisht Bardhin

Nga ana tjetër, Olsi Rama e çoi në SPAK kreun e grupit të PD-së, duke e akuzuar për “kallëzim të rremë".

Në cilësinë e kallëzuesit, unë Olsi Rama, jam vënë në dijeni për një deklaratë publike të shfaqur në median online ndaj personit tim, të bërë nga një deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, i kallëzuari Gazment Bardhi. Për shkak se ky veprim i tij lidhet me deklarata të mëparshme ndaj meje të cilat, në vlerësimin tim, në tërësinë e tyre përmbajnë elementët e veprës penale të “Kallëzimit të rremë”, të parashikuar nga neni 305 i Kodit Penal, dhe më cenojnë pikësëpari mua si person duke më dhënë cilësinë e viktimës së veprës penale, bazuar në nenet 58 e 283 të Kodit të Procedurës Penale, paraqes këtë kallëzim penal me shkrim”, thuhet në dokumentin e depozituar.

Ndër të tjera në padi theksohet se:

Kërkoj regjistrimin e procedimit penal në ngarkim të z. Gazment Bardhi, deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, për kryerjen e veprës penale të “Kallëzimit të rremë, të parashikuar nga neni 305 i Kodit Penal. 2. Marrjen e akteve të materialit të kallëzimit penal nr. 68, datë 9.4.2024, të regjistruar nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit Tiranë, sipas rregullave të parashikuara nga neni 191 i Kodit të Procedurës Penale, për shkak se i shërbejnë këtij kallëzimi të ri penal.

Rama: Do pres me durim hetimet e SPAK

Kryeministri Rama i ka cilësuar "gënjeshtra" akuzat e Bardhit në adresë të vëllait të tij. Sipas Ramës, sulmet janë aq të gënjeshtërta sa Bardhi nuk ka pasur as guxim të bëjë kallëzim në SPAK për Olsi Ramën.

Rama refuzoi edhe kërkesën për interpelancë nga deputeti Bardhi, pasi tha se “s'mund të ketë interpelancë për këtë çështje ku gënjeshtari duhet të japë, jo të kërkojë llogari.”

“Duke vënë re se akuzat, fabrikimet, fantazitë e një deputeti apo grupi deputetësh, lidhur me familjarët e kryeministrit, zv.kryeministrit ose të çdo anëtari tjetër të kabinetit qeveritar, nuk kanë asnjë lidhje me motivet, synimet, qëndrimet e Këshillit të Ministrave, kërkesa për interpelancë nga deputeti Gazmend B më gjen në pamundësinë e plotë për ta përmbushur,” shkruajti Rama shtatorin e kaluar në një ragim në platformat sociale.

Rama tha se Bardhi duhet të presë me durim hetimet e SPAK, sa kohë që vëllai i tij e ka paditur deputetin e PD-së për shpifje. 

/rtsh.al/