RTSH 24 Live

Sociale

Ambasada e Italisë në Tiranë përshëndet miratimin e marrëveshjes për sigurimet shoqërore nga Dhoma e Deputetëve

4 orë para

Ambasada e Italisë në Tiranë përshëndet miratimin e marrëveshjes për sigurimet shoqërore nga Dhoma e Deputetëve

“Le të mirëpresim me shumë kënaqësi një hap tjetër të rëndësishëm në lidhje me Marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore mes Italisë dhe Shqipërisë, e firmosur në Romë më 6 shkurt 2024 nga Ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, dhe homologu i tij shqiptar, Igli Hasani”.

Sipas deklaratës të bërë publike nga Ambasada, bëhet e ditur se,  “teksti, i miratuar njëzëri nga Dhomat e Deputetëve, do të kalojë tani në dhomën tjetër të Parlamentit, siç parashikohet nga rendi juridik italian. Pasi të miratohet pa ndryshime, do të mbeten vetëm shpallja nga Presidenti i Republikës dhe botimi në Gazetën Zyrtare”.

“Marrëveshja do të jetë një arritje e madhe për punonjësit, duke rregulluar përfitimet pensionale, ndihmën për papunësinë, sëmundjen dhe shtatzëninë për ata që punojnë ose kanë punuar në të dy shtetet”-thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Arritja e marrëveshjes teknike mes Shqipërisë dhe Italisë u komunikua disa muaj më parë. Bisedimet mes Shqipërisë dhe Italisë për marrëveshjen e arritur kanë nisur vite më parë dhe janë intensifikuar që nga viti 2014.

Përfitues nga kjo marrëveshje parashikohet të jenë afërsisht 500 mijë shtetas shqiptarë, të cilët jetojnë e punojnë në Itali.

Gjithashtu bëhet e ditur se janë rreth 50 mijë ndërmarrje me NIPT italian, që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Shqipëri.

Ajo mbulon pensionet e pleqërisë, sigurimet për përfitimet për sëmundjet dhe shtatzënitë si edhe sigurimin për papunësinë.

/rtsh.al/