Kryeministri Edi Rama ka inspektuar sot kantierin e punimeve në lagjen 300-vjeçare të Zdrales, një zonë historike e Shkodrës, e cila po kalon transformimin e rëndësishëm në një hapësirë pedonale.
Ky projekt synon të shndërrojë lagjen në një destinacion të ri tregtar, social dhe turistik, duke i shtuar vlerë të konsiderueshme ofertës turistike të qytetit.
“Në kantierin e fazës së parë të projektit për Rilindjen e lagjes 300 vjeçare të Zdrales, një nga zonat historike të Shkodrës që do të kthehet në hapësirë pedonale, si një destinacion i ri tregtar, social e turistik. Kjo fazë do të mbyllet në qershor të këtij viti dhe do t’i japë Shkodrës një vlerë të shtuar për ofertën e saj turistike”, shkruan Rama në Facebook.
Një pjesë tjetër e rëndësishme e këtij projekti është Tregu i Rusit, ku përmirësimi i infrastrukturës pritet ta bëjë më tërheqës qytetin për vizitorët dhe banorët e Shkodrës.
“Tregu i Rusit, deri dje një njollë turpi në fytyrën e një qyteti me historinë e me kulturën e Shkodrës, ndërsa sot një hapësirë e bukur dhe dinjitoze falë angazhimit të kryebashkiakut e mbështetjes së qeverisë”, shkruan ai.
/rtsh.al/