Gjendja shëndetësore e Kryepeshkopit Anastas është përkeqësuar.
Ditën e premte (10 janar) kleriku i lartë iu nënshtrua një operacioni urgjent për të trajtuar gjakderdhjen në zorrën e hollë. Edhe Kisha Orthodhokse e konfirmoi transferimin me urgjencë të Kryepeshkopit Anastas.
“Gjendja shëndetësore e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Shqipërisë, z. Anastas, ka pësuar një përkeqësim të menjëhershëm dhe ai është transferuar në njësinë e kujdesit intensiv, ku ndodhet i intubuar”, thuhet në njoftim.
Kryepeshkopi kishte dy ditë që kishte dalë nga intubimi, ndonëse gjendja shëndetësore e tij ishte e rënduar.
Më 3 janar, ai u transportua me avion të Forcave Ajrore nga Shqipëria dhe u shtrua në spitalin "Evangelismos" në Athinë, ku më 5 janar shfaqi komplikacione shëndetësore.
Para këtij dërgimi në Athinë, më 30 dhjetor, Kryepeshkopi 95-vjeçar ishte shtruar në një spital privat në Tiranë për shkak të simptomave të një virusi. Ai u dërgua me avion në Athinë për kujdes mjekësor më të specializuar.
Gjatë qëndrimit të tij në spitalin "Evangelismos", Kryepeshkopi Anastas u vizitua nga Anëtarët e Sinodit të Shenjtë të Kishës së Greqisë. Këta të fundit deklaruan se Kryepeshkopi Anastas falënderoi përzemërsisht Sinodin e Shenjtë, ndërsa shtoi gjithashtu se u është sinqerisht mirënjohës të gjithë atyre që luten për shërimin e tij të shpejtë.
Kryepeshkopi u vizitua gjithashtu edhe nga Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, për t’u informuar mbi ecurinë e trajtimit të tij, si dhe nga Kryepeshkopi Jeronimos, kreu i Kishës Ortodokse të Greqisë, i cili i uroi shërim të shpejtë.
/rtsh.al/