Në një ceremoni të zhvilluar në Shtëpinë Kadare në Gjirokastër, ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci (lex. Fabricio Buçi), u nderua me titullin "Qytetar Nderi" i Gjirokastrës.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm përfaqësues të pushtetit vendor e lokal dhe personalitete të tjera.
Gjatë ceremonisë është vlerësuar kontributi i ambasadorit Bucci në forcimin e marrëdhënieve midis Italisë dhe Gjirokastrës, veçanërisht në fushat e kulturës dhe turizmit.
"Është një moment gëzimi që ne kemi fatin të nderojmë mikun tonë, por edhe një moment keqardhjeje, sepse Fabrizio ishte gjithmonë njëri prej nesh," u shpreh ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
"Është dita për ta falënderuar për punën që kemi bërë së bashku, edhe përtej detyrës si diplomat," tha kryetari i bashkisës së Gjirokastrës, Flamur Golemi.
Ambasadori Bucci shprehu mirënjohjen e tij dhe riafirmoi angazhimin për të vazhduar mbështetjen në projekte që synojnë zhvillimin e mëtejshëm të Gjirokastrës dhe forcimin e lidhjeve midis dy vendeve.
"Për mua është nder i madh që kalova 5 vjet në Shqipëri. Mirënjohje e madhe për vlerësimin që më dhanë, sepse unë jam një mik i Shqipërisë dhe i Gjirokastrës në veçanti," tha ambasadori Bucci.
Në përfundim të ceremonisë, diplomati italian shprehu mirënjohjen e tij për këtë nderim dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit midis Italisë dhe Gjirokastrës në fushat e kulturës, turizmit e të tjera.
/rtsh.al/