RTSH 24 Live

Aktualitet

Rindërtimi nga tërmeti, 198 familje përfitojnë apartamente 3+1 në Spitallë

3 orë para

Rindërtimi nga tërmeti, 198 familje përfitojnë apartamente 3+1 në Spitallë

198 familje në bashkinë e Durrësit, të mbetura të pastreha nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, kanë përfituar banesat e reja nga procesi i rindërtimit.

Qytetarët, përmes shorteut publik të zhvilluar në sallën e teatrit "Aleksandër Moisiu", kanë përfituar apartamente me strukturë 3+1 në sitin e ri të Spitallës, ku janë ndërtuar 996 apartamente të reja.

Ky është shorteu i tretë më i madh për ndarjen e apartamenteve, pas atyre të zhvilluara në muajin gusht dhe shtator.

Megjithëse mbi 500 familje në Durrës i kanë përfituar prej muajsh shtëpitë, ende nuk janë futur në to, pasi kompleksi i ri i banimit është në proces kolaudimi.

Nënkryetari i bashkisë, Gentian Kallmi, tha se pas kolaudimit, çelësat do i dorëzohen atij dhe më pas do të vazhdohet me shpërndarjen e tyre.

Shorteu i zhvilluar sot nuk është i fundit për të pastrehët e tërmetit.

Bashkia e Durrësit ka ende disa raste në shqyrtim për përfitues të rinj. Një ditë më parë, 13 familje të tjera u bënë me shtëpi të re gjatë shorteut të zhvilluar në ambientet e Këshillit Bashkiak.

/rtsh.al/