RTSH 24 Live

Ekonomi

Inflacioni në eurozonë arriti nivelin 2,4% në mars, më i ulëti në katër muaj

03/04/2024

Inflacioni në eurozonë arriti nivelin 2,4% në mars, më i ulëti në katër muaj

Inflacioni në eurozonë në muajin mars shënoi normën më të ulët në 4 muaj, duke rënë në nivelin 2,4 nga 2,6 për qind.

Për sa i përket sektorëve, çmimet e shërbimeve për konsumatorët qëndruan të pandryshuara nga muaji në pjesën e shërbimeve (4,0%); ushqimet, alkooli dhe duhani (2,7% nga 3,9% në shkurt); mallrat industriale joenergjetike (1,1% nga 1,6% në shkurt), dhe energjia nga -3,7% në shkurt në -1,8% në muajin mars.

Ndër vendet anëtare të eurozonës, inflacioni më i lartë rezultoi në Kroaci (4,9%), Austri (4,2%), Estoni (4,1%) dhe Belgjikë (3,8%), ndërsa Lituania (0,3%), Finlanda (0,7%), Letonia (1%) dhe Italia (1,3%) raportuan normën më të ulët.

Të dhënat e fundit janë në linjë me parashikimet e Bankës Qendrore Europiane për të ulur normat e interesit, duke nisur nga qershori.

Projeksionet e Bankës janë që inflacioni mesatar të luhatet në normën 2,3% në vitin 2024, 2,0% në 2025 dhe 1,9% në 2026.

Por parashikimet do të ndikohen edhe nga çmimi i naftës, i cili është rritur muajt e fundit.

Nafta bruto po shitet 15% më shtrenjtë në bursë që nga fillimi i vitit, duke arritur vlerën 89 dollarë për fuçi në prill, ndërsa ekspertët e Bankës Qendrore prisnin të qëndronte në 79 dollarë për fuçi. Një rritje e mëtejshme në muajt e ardhshëm do të çonte në inflacion më të lartë nëpër Europë. /Euronews

/rtsh.al/