RTSH 24 Live

Aktualitet

Incineratori i Tiranës - pranohet gjykimi i shkurtuar për 8 të pandehur, mes tyre Koka

7 orë para

Incineratori i Tiranës - pranohet gjykimi i shkurtuar për 8 të pandehur, mes tyre Koka

Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e 4 të pandehurve për incineratorin e Tiranës, Silena Tola, Etleva Kondi, Alba Thoma dhe Pëllumb Abeshi, për t’u gjykuar me procedurën e zakonshme, si dhe për ndarjen e çështjes nga pjesa tjetër.

Gjyqtarja Elsa Ulliri gjithashtu pranoi kërkesën e 8 të pandehurve të tjerë për gjykim të shkurtuar. Konkretisht të ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka, Erjon Muratajt, Bledar Karolit, Taulant Tushës, Namik Simixhiut, Valbona Ballgjinit, Sidita Koplikut dhe Jetmir Llapajt.

Në seancën e ardhshme pritet që prokurori Dritan Prençi të japë konkluzionet për 8 të pandehurit, ndërkohë që për katër të tjerët do vijojë gjykimi.

Dosja e incineratorit të Tiranës kaloi për gjykim më datë 13 dhjetor të vitit 2024. Në datë 2 gusht, Prokuroria e Posaçme njoftoi zyrtarisht mbylljen e hetimeve për 12 personat e akuzuar, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “shpërdorim detyre”.

Për incineratorin e Tiranës, ish deputeti socialist Alqi Bllako njëherësh sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit është ndarë më vete. Kjo për shkak se Bllako akuzohet për një tjetër vepër penale, atë të korrupsionit. Çështja ndaj tij është në fazën e dhënies së konkluzioneve nga ana e prokurorisë.

Seanca e radhës është planifikuar të mbahet në datën 7 shkurt, ora 13:00.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al/