Genc Gjokutaj, avokati i Presidentit të Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka dorëzuar në Gjykatën e Lartë rekurs ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit të GJKKO për masën e sigurimit “arrest me burg” ndaj klientit të tij.
Sipas Gjokutajt, Gjykata e Lartë nuk ka asnjë provë për të cilat Meta mund të vijojë qëndrimin në burg.
Ai theksoi se nëse do të lindë nevoja, do i drejtohet Gjykatës së Strasburgut.
“Sot jam paraqitur në sekretariatin e apelit të GJKKO sepse rekursi ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit dhe dy vendimeve të caktimit të masës, verifikimit të ekzekutimit në shkallë të parë, në GJKKO depozitohet në sekretarinë e gjykatës që ka dhënë vendimin.
Ndaj jam paraqitur në sekretarinë e gjykatës së Apelit, ku kam dorëzuar rekursin ndaj vendimit që ka caktuar masën e arrestit me burg për Ilir Metën.
Paraqita argumentet nga ndalimi kriminal, për secilin episod, procedim, lobimin për të cilin Meta ka dhënë dhe shpjegime para SPAK, deklarimin e pasurisë së z.Meta dhe pastaj dhe CEZ-DIA çështje e bazuar mbi kallëzues të rremë, dëshmitarë të rremë e prova të marra në kundërshtim me ligjin. Në këto kushte, jemi drejtuar në Gjykatën e Lartë për revokimin e arrestit me burg nga GJKKO e Shkallës së Parë dhe e miratuar nga Gjykata e Apelit”, deklaroi Gjokutaj.
Presidenti i Partisë së Lirisë u arrestua më 21 tetor me urdhër të SPAK-ut. Ndaj Metës, SPAK ka ngritur dyshime për pasurinë e tij dhe për korrupsion e pastrim parash.
Kujtojmë se në shtator të vitit 2022, SPAK-u, në kuadër të hetimit nisur ndaj Metës, nisi një letërporosi në SHBA ku kërkoi të dhëna ku ishin regjistruar kompanitë e lobimit në Departamentin e Drejtësisë atje.
SPAK-u i nisi hetimet pas kallëzimit të ish-deputetit Halit Valteri, i cili pretendonte se për llogari të LSI-së - para ndryshimit të emrit në Partia e Lirisë - u shpenzuan 700.000 dollarë të padeklaruara për qëllime lobimi.
/rtsh.al/