RTSH 24 Live

Aktualitet

I vihet tritol mobilerisë në Durrës, nuk ka të lënduar

03/04/2024

I vihet tritol mobilerisë në Durrës, nuk ka të lënduar

Një shpërthim me tritol ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure (3 prill) në Durrës.

Sipas informacioneve, bëhet me dije se një sasi tritoli është vendosur në një mobileri në Rrashbull të Durrësit. Fatmirësisht nuk ka persona të lënduar, ndërsa raportohet vetëm për dëme materiale.

Nga veprimet e para hetimore, policia dyshon se lënda plasëse është hedhur për shkak të një konflikti për motive pronësie. Në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës janë shoqëruar 3 persona që dyshohet se kanë dijeni për rastin. 

“Në orët e para të mëngjesit, në Rrashbull, Durrës, në ambientet e jashtme të mobilierisë në pronësi të shtetasit L. A., 36 vjeç, është hedhur një sasi lënde e dyshuar plasëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. 

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se lënda plasëse është hedhur për shkak të një konflikti për motive pronësie", thuhet në njoftim.

Pronari i mobilerisë Artan Alla ka mohuar të ketë konflikte. Ai shprehet se autori ka qenë i maskuar dhe me kapuç, ndërsa shtoi se kjo është hera e tretë që i vihet tritol mobilerisë së tij.

"Nuk kam konflikte me askënd.

Nuk di nga se ka ardhur. Kamerat kanë kapur një person duke kaluar e duke hedhur tritolin. Ka qenë me kapuç me maskë. Kjo është hera e tretë që e hedhin, Hera e parë në nëntor, e dyta para tre javësh dhe tani", tha Alla.

/rtsh.al/