Pacientët që vuajnë nga HIV/AIDS prej muajit shkurt nuk mund të kontrollojnë ngarkesën virale, pasi për këtë testim mungojnë kitet.
Afro 1.500 pacientë të diagnostikuar me HIV, përfshirë dhe fëmijë, nuk bëjnë që nga muaji shkurt ngarkesën virale të cilën sipas protokollit terapeutik duhet ta kryejnë dy herë në vit.
Drejtuesja e Shoqatës së Personave me HIV/AIDS, Olimbi Hoxha, i tha RTSH-së se kjo histori nisi që kur koncesionari i laboratorit në QSUT nuk mori përsipër kryerjen e këtij testi.
“Një person që është në terapi me HIV duhet të kryejë rregullisht edhe dy analiza: CD4 dhe ngarkesën virale. Aktualisht që nga shkurti e deri në momentin që flasim nuk është performuar kjo analizë në Institutin e Shëndetit Publik. Në momentin që laboratori i analizave në QSUT iu dha koncesionarit, ata hoqën nga lista e analizave ngarkesën virale për të cilën ne kishim luftuar aq fort ndër vite. Kontaktuam me Ministrinë e Shëndetësisë dhe ata vendosën që ta transferojnë laboratorin në ISHP dhe aty kemi qenë në alert me situatën, pasi e donim që do të vinte një moment e nuk do të prokuroheshin më kite dhe do të ishim në këtë situatë që jemi aktualisht. Të gjitha rastet e reja të këtij viti janë testuar për ngarkesën virale në privat kundrejt një kostoje shumë të lartë, gjë që është një problem më shumë për të sëmurët me HIV/AIDS, por edhe në askeptin psikologjik shënon regres, pasi këtyre pacientëve u thuhet që do futeni në skemën e trajtimit me disa kosto, që duhet t'i përballoni vetë. Kjo nuk është normale, pasi legjislacioni garanton që kjo është totalisht e mbuluar nga shteti si shpenzim”, tha znj. Hoxha.
Drejtuesja e shoqatës sqaron se normalisht të prekurit me HIV duhet të ndiqen sipas protokollove të OBSH-së, ndërkohë që analiza nuk ofrohet fare në Shqipëri.
“Sipas protokolleve të OBSH-së për personat e sapodiagnostikuar me HIV, këto analiza, pra ngarkesa virale dhe CD4 duhet të kryhen një herë në 3 muaj, ndërsa për ata që kanë vite që ndiqen rregullisht me antiretroviralë duhet që ky kontroll të kryhet një herë në vit. Gjithashtu edhe një tjetër analizë, shumë e domosdoshme për të sapoinfektuarit, testi i rezistencës, nuk bëhet fare në Shqipëri. Kjo analiza është e domosdoshme, pasi tregon efektivitetin e mjekimit ndaj virusit dhe duhet të bëhet para se të fillojë mjekimi”, u shpreh znj. Hoxha.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, furnizimi me kite pritet me gjasë të bëhet në janar të vitit 2025, pasi sapo është përmbyllur tenderi dhe fituesi është shpallur.
Diagnostikimi i pacientëve në privat i ngarkon pacientët edhe më stigmë nga frika se mund të identifikohen.
Shqipëria vetëm këtë vit ka pasur 15 humbje jete nga HIV/AIDS, ndërkohë që 7 i përkasin rasteve të reja të diagostikuara.
Gazetare: Sonila Mlloja
/RTSH/