Në Kolesjan nisën punimet për ndërtimin e Rrugës se Bjeshkëve. Është cilësuar si njeri prej projekteve më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit malor por edhe të zonës ku kalon kjo rrugë. Për banorët, kjo rrugë është ajo çfarë kanë pritur prej vitesh.
Kryetari i bashkisë Albert Halilaj e cilësoi një investim të mirë menduar për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm në Kukës. Ai u shpreh se nuk është larguar vëmendja nga zonat e tjera të cilat do të kenë investime infrastrukturore gjatë 2025.
Për Pandeli Majkon, drejtues politik i PS për qarkun e Kukësit, të tilla projekte janë për brezat dhe nuk kanë të bëjnë me fushata politike.
Ndërsa Fondi i Zhvillimit Shqiptar, projektin në fjalë e shikon më shumë si një master plan turistik dhe kjo rrugë është vetëm fillimi i këtij master plani.
Rruga në fjalë ka një gjatësi 13.9 kilometra, gjerësi traseje 5 metra me një fond 193 milion lekë. Punimet për ndërtimin e kësaj rruge parashikohen të zgjasin për një periudhë 12 mujore.
/RTSH/