RTSH 24 Live

Aktualitet

Hetimet mbi bisedat e SKY/ECC të ardhura në telefonin e Bardhit, SPAK: Janë të sajuara

3 orë para

Hetimet mbi bisedat e SKY/ECC të ardhura në telefonin e Bardhit, SPAK: Janë të sajuara

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit i ka cilësuar si biseda të sajuara dhe të manipuluara bisedat e ardhura në adresë të deputetit Gazmend Bardhi në aplikacionin Signal.

Pas hetimeve dhe analizimit të telefonit të deputetit Gazmend Bardhi, SPAK arriti në përfundimin se “mesazhet e pretenduara se rrjedhin nga transkripte bisedash të kryera nëpërmjet SKY/ECC janë manipuluar duke sajuar biseda të pavërteta për individë dhe veprime të kundërligjshme”.

Vetë deputeti i kishte denoncuar në SPAK duke thënë se po shantazhet nga persona që fshihen pas përdoruesit anonim me emrin “Mbreti Zog”, ndërsa Krimi Kibernetik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit nisi hetimet për të zbuluar autorin që ka dërguar e-mail në disa media me biseda të aplikacionit "Sky/ECC", në të cilat shfaqen biseda të Ervis Martinajt dhe Erigers Mihasit.

SPAK ka nisur verifikimet për të identifikuar burimet e këtyre mesazheve me qëllim ndjekjen penale të autorëve. Më herët Krimi Kibernetik tha se e-maili i ardhur në drejtim të Bardhit është nga një domain jo i zakonshëm, por vjen nga një shërbim i koduar për të mbrojtur të dhënat personale përpara se të dërgohen në serverat e "Proton Mail", ndryshe nga kompanitë e zakonshme të shërbimit e-mail "Gmail", "Outlook", e më gjerë.

Në këto biseda të dërguara në drejtim të deputetit Gazmend Bardhi, tashmë të vërtetuara që janë të sajuara, flitet mes dy personazheve të krimit për të paguar kreun e grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi me 100 mijë euro për fushatën.

/rtsh.al/