Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka denoncuar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion se dikush e ka kërcënuar përmes SMS në telefon.
Në kallëzimin e Bardhit thuhet se denoncimi ka ardhur nga një përdorues me emrin “Mbreti Zog” në platformën e komunikimit “Signal”, ku ika dërguar mesazhe kërcënuese dhe dokumente të falsifikuara.
Gjithashtu në dijeni të kallëzimit në SPAK dhe kërcënimeve janë vënë edhe Ambasada e SHBA, ajo britanike dhe delegacioni i BE në Tiranë.
“Elvis MArtini, Erigers Mihani. Të jesh mirë” ka qenë mesazhi që i ka mbërritur deputetit Gazment Bardhit në telefonin e tij.
Bardhi hedh akuza se këto mesazhe e dokumente janë fabrikuar e shpikur dhe pas përdoruesve anonimë qëndrojnë persona publikë dhe figura të krimit të organizuar të denoncuar prej tij publikisht.
“Këto mesazhe intimiduese dhe me përmbajtje tërësisht të rreme vijnë pas seancës plenare të datës 12 Shtator 2024, ku gjatë një interpelance me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, unë në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë e përballa atë me disa të dhëna të platformës SKY/ECC që janë bërë publike, si dhe e paralajmërova se shumë shpejt do ta përballë me të dhëna të tjera të të njëjtës natyrë që provojnë lidhjet mes funksionarëve të lartë publik dhe krimit të organizuar, gjithmonë pa cenuar dhe duke respektuar rregullat për ruajtjen e sekretit hetimor”, thuhet në denoncimin e Bardhit.
Deputeti demokrat Gazment Bardhi i kërkon SPAK që të hetojë dhe verifikojë në një kohë të shpejtë mesazhet me natyrë intimiduese ndaj një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, me qëllim identifikimin e autorit/ëve të këtyre mesazheve dhe motiveve të dërgimit të tyre.
/rtsh.al/